Lajme
Analistët thonë se barrikadat janë indikacion se “dialogu duhet të vazhdojë”
Demokracia
23:39 | 30 Dhjetor 2022

Share:

Vendosja e barrikadave tash e disa herë në rrugët që lidhin Kosovën me Serbinë nga ana e bandave kriminale në veri të vendit, sipas njohësve të çështjeve politike në vend, nuk do të duhej të tolerohej nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. E që skenarë të tillë të mos përsëriten, ata thonë se Kosova e Serbia duhen t’u kthehen negociatave.

Barrikadimi i rrugëve në veri të vendit nga serbët lokalë për dy javë rresht, është sinjali më i mirë se sa shumë potencial destruktiv ka në Kosovë dhe sa ka rëndësi që Kosova dhe Serbia të ulen në tavolinën e bisedimeve, kështu e vlerësojnë analistët kosovarë.

Sipas Mazllum Baraliut, ajo çka ndodhi në veri të Mitrovicës nuk do të duhej të tolerohej nga bashkësia ndërkombëtare.

“Mirëpo pikërisht për t’iu shmangë dialogut janë shkaktuar këto obstruksione nga Beogradi dhe Beogradi nuk do marrëveshje. Këtë duhet ta kuptojnë edhe Bashkësia Ndërkombëtare edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nuk po e kuptojnë. Dhe nëse e kuptojnë sa më parë nuk do ti binin në  qafë as qeverisë as popullit të Kosovës në këtë mënyrë sepse jam i bindur se marrëveshje përfundimtare nuk do të ketë. Por, edhe marrëveshje të ndërmjetme në mars siç është paralajmëruar të vitit të ardhshëm vështirë që do të ketë e cila do të jetë e pranueshme për të dyja palët, sepse Serbia po blen kohën, po bashkëpunon me lindjen, me Putinin dhe po obstruksionon me Perëndimin, po e dëmton Kosovën dhe po e obstruksionin edhe Kosovën”, ka thënë  Mazllum Baraliu profesor universitar.

Analisti Artan Muhaxheri thotë se me anë të marrëveshjes, do të zvogëlohej edhe mundësia për përsëritjen e skenarëve në të ardhmen, të cilët janë të dëmshëm për Kosovën, Serbinë dhe të gjithë rajonin.

“Unë mendoj që edhe retorika do të ashpërsohet dhe kërkesat do të jenë shumë më të qarta shumë më të drejtpërdrejta sepse nuk ka shumë logjikë që të ketë kaq shumë insistime ndërkombëtare ndërsa në anën tjetër të mos ketë një reagim të intensitetit të njëjtë nga dy liderët kur e mira është për rajonin, e mira është për dy vendet respektive që pra që më në fund të normalizohet kjo pjesë ë Ballkanit dhe që të synohen etapa të reja historike pas tij”, Artan Muhaxheri analist.

Edhe pse nga bashkësia ndërkombëtare ka bërë thirrje që palët t`u kthehen bisedimeve, ende nuk dihet se kur do të ndodhë takimi i radhës mes Kosovës dhe Serbisë. RTK ka adresuar pyetje edhe në adresë të zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, lidhur me këtë çështje, por deri në kohën kur po raportojmë, ai nuk është përgjigjur.

Të ngjashme