Lajme
Analistët, sfidat pas zgjedhjet në Shqipëri: Njohja e rezultateve dhe bashkëpunimi parlamentar
Demokracia
20:20 | 27 Prill 2021

Share:

Analistë dhe vëzhgues të jetës politike në Tiranë mendojnë se Shqipëria nuk arriti standarde të larta në ecurinë e procesit zgjedhor dhe pritet një vlerësim minimal nga ndërkombëtarët për kriterin e rregullsisë së zgjedhjeve.

Sfidat e radhës për klasën politike, sipas tyre, janë njohja e rezultateve dhe bashkëpunimi parlamentar.

Studiues dhe analistë të jetës politike pohuan se partitë garuese në zgjedhjet e të dielës duhet ta lexojnë me kujdes faktin se në shkallë kombëtare socialistët morën më shumë vota kundër, por fituan më shumë mandate, ndërsa demokratët nuk i shndërruan dot në mandate votat e shtuara që i besuan qytetarët.

Drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, thotë se këto zgjedhje ishin eksperimentale prej sistemit të ri që u përdor, dhe kjo shkaktoi një kosto prej disa dhjetëra mijë vota të pavlefshme, ndërsa fushata u zgjat 6 muaj.

“Nga pikëpamja e rezultateve, këto zgjedhje nuk sollën zgjidhje të qëndrueshme dhe nuk u shoqëruan me ndonjë entuziazëm tek qytetarët, sepse shoqëria është shumë e ndarë për shkak të fushatës negative që bëri mazhoranca, e cila është e vetmja fushatë negative gjatë tranzicionit, që solli një rezultat pozitiv” – tha Krasniqi.

Analistët mendojnë se incidenti i Elbasanit, që kulmoi me vrasje e plagosje, presionet e qeverisë, përdorimi i burimeve shtetërore për fushatë dhe shitblerja e votave do të jenë pjesë e gjithë raporteve ndërkombëtare. Analisti Lutfi Dervishi thotë se drejtësia duhet të reagojë shpejt për incidentet e dhunshme në zgjedhje dhe për rastet e pretenduara të shitblerjes së votës, rastet incidenteve para zgjedhjeve. Këto rrezikojnë të na përsëriten nëse drejtësia nuk reagon shpejt me forcë dhe me transparencë” – tha Dervishi.

“Është e njëjta listë problemesh të pjesës së shëmtuar: rastet e shitblerjes së votës,

Krasniqi tha se qeveria e re do të dalë nga një shumicë e thjeshtë dhe nuk do të ketë mandat për reforma, dhe për këto do t’i duhet patjetër bashkëpunimi i opozitës. Kjo do të jetë e vështirë, sepse fushata u polarizua dhe personalizuar shumë dhe ishte më tepër një test për zotin Rama. Ndërsa opozita pagoi koston e djegies së mandateve parlamentare dhe bojkotit të zgjedhjeve vendore.

“Opozita shpresoi që rregulli i dy mandateve do të sillte automatikisht rrëzimin e mazhorancës. Kanë votuar maksimumi 1.5 milionë votues, pra qytetarët e pavendosur nuk dolën në votime. Dhe kjo iu kthye në bumerang opozitës. Opozita nuk arriti të krijojë një ndjesi të përgjithshme se Shqipëria ka nevojë për një alternativë më të mirë dhe se ajo është alternativa më e mirë” – tha Krasniqi.

Nga ana tjetër Dervishi thotë se në zgjedhjet shqiptare i duhet besuar më shumë teknologjisë, sepse manualisht u shkaktuan afro mijë vota të pavlefshme, ndërsa votimi elektronik në njësinë 10 kishte 0 vota të pavlefshme, shkruan voa.

Por tani hapat më të rëndësishme janë pranimi i rezultateve dhe një sjellje e re në parlamentin e ri nga të palët; një shumicë më e vetëpërmbajtur dhe një opozitë më konstruktive, sipas tij.

“Problemi më i madh nuk është brishtësia e mazhorancës se sa brishtësia e problemeve që janë përballë dhe që janë po ato para 25 prillit. Ato kërkojnë një përgjegjshmëri më të lartë. Reforma në drejtësi duhet të japë rezultate më të dukshme. Vendi ka sfida që nuk përballohen dot pa një qasje bipartizane në parlament” – tha Dervishi.

Analistët pohuan se qeverisje të mirë ose të keqe Shqipëria ka patur gjithmonë, por ajo që ka munguar gjithmonë është një opozitë konstruktive që të mbrojë interesat publike dhe kombëtare.

Gara e radhës mes dy kampeve rivale janë zgjedhjet vendore në datën e zakonshme pas dy vjetësh, ose më herët në varësi nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet e kaluara vendore./Demokracia.com/

Të ngjashme