Lajme
Analistët: Rikthimi në dialog, i domosdoshëm
Demokracia
23:18 | 25 Qershor 2023

Share:

Pas tensioneve në veri, rikthimi në tavolinën e dialogut në Bruksel paraqitet i ngadalësuar por jo edhe i pamundur. Kështu vlerësojnë analistët kosovarë, të cilët thonë se vështirësi do të ketë por që duhen përpjekje maksimale nga të dyja palët që të rikthehen aty ku ishin, në mënyrë që situatat të tejkalohen dhe të zgjidhen problemet.

E enjtja e 22 qershorit i dërgoi kryeministrin e Kosovës e presidentin e Serbisë sërish në Bruksel. Këtë radhë nuk u ulën së bashku në tryezë diskutimi.

Në takime të ndara me shefin për Politikë të Jashtme e Siguri të BE-së, Josep Borrell, palët diskutuan për të gjetur zgjidhjen në uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Por a ka gjasa që palët të kthehen në një tryezë të përbashkët?

Njohës të çështjeve politike në Kosovë thonë se tensionet në veri e kanë ngadalësuar procesin e dialogut dhe se duhet kohë për t’u kthyer në pikën ku ishim para krizës në veri. Megjithatë, sipas tyre, rikthimi i shpejtë në dialog është i domosdoshëm për Kosovën.

“Natyrisht që ngjarjet në veri e kanë ngadalësuar dialogun dhe e kanë cenuar trajektoren e tij dhe tash duhet energji shtesë që palët të kthehen në pikën ku ishin para këtyre ngjarjeve. Çështja është që tani kërkesat do jenë shumë më të qarta, më të drejtpërdrejta sepse nuk ka shumë kohë për të humbur”, tha Artan Muhaxhiri, analist.

Sipas tyre, marrëveshja e Ohrit do të mbetet baza dhe do bëhet shumë presion që pikat e kësaj marrëveshjeje të zbatohen maksimalisht, pavarësisht situatës në të cilën ndodhemi.

“Marrëveshja e Ohrit është orientimi kryesor për të gjithë, pra edhe për palët edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Do bëhet shumë presione që pikat nga ajo marrëveshje të respektohet maksimalisht dhe palët nuk kanë ndonjë mundësi që t’i bishtnojnë. Mund të gjenden modalitete të ndryshme por ajo do mbetet baza”, tha Muhaxhiri.

Ndërsa , analisti Visar Xani tha se rikthimi i shpejtë i dialogut është domosdoshëm dhe shumë i rëndësishëm për Kosovën.

“Rikthimi i shpejtë i dialogut dhe rikthimi i shpejtë në pikat e diskutimit për tu realizuar plani evropian ose marrëveshja e Ohrit është i domosdoshëm dhe shumë i rëndësishëm për Kosovën. Pa marrë parasysh situatën në të cilën jemi për Kosovën është shumë më e favorshme që të ketë dialog, të ketë një marrëveshje finale që mundëson stabilitet dhe paqe, dhe të përmbyllë një proces të gjatë me dekada, sepse pa një marrëveshje finale nuk do të mund ti shfrytëzojmë të mirat e një dialogimi”, tha ai.

Pas takimit të fundit me shefin e diplomacisë së BE-së, Kurti kishte deklaruar se e kupton nevojën për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri, me një proces që paraprihet nga sundimi i ligjit.

Të ngjashme