Lajme
Analistët për Demokracia.com: Zgjedhja e kryetarit të LDK-së reflekton në partitë tjera
Demokracia
18:57 | 11 Mars 2021

Share:

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), të dielën do t’i mbajë zgjedhjet e brendshme, ku do të zgjedh kryetarin e ri të saj.

Për shkak të rezultatit të dobët të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, Isa Mustafa dha dorëheqje nga posti i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke i hapur rrugë zgjedhjes së kryesisë dhe kryetarit të ri.

Më 14 mars, LDK-ja do t’i mbajë zgjedhjet e brendshme dhe për të parin e këtij subjekti politik, deri më tani kandidaturën e kanë paraqitur Anton Quni, Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku dhe Besian Mustafa.

Njohësit e zhvillimeve politike në vend thonë se zgjedhjet e LDK-së do të reflektojnë edhe te partitë e tjera politike.

Opinionisti politik, Fitim Salihu, ka thënë për Demokracia.com se qasja e brendshme e LDK-së do të ndikojë në partitë e tjera.

“Absolutisht kjo qasje e brendshme e LDK-së do të ndikojë edhe në partitë tjera që ta dinamizojnë dhe demokratizojnë funksionimin e brendshëm politik e organizativ. Nuk mund të bëhet opozitë ndaj një mazhorancë të fortë me të njëjtin stil, siç është bërë opozitë në vitin 2000 ose 2007”, ka thënë Salihu për Demokracia.com.

Edhe Imer Mushkolaj, njohës i zhvillimeve politike në vend ka thënë për Demokracia.com, se çdo lëvizje e një partie do të ndikojë në partitë e tjera, pasi që siç theksoi ai, Kosova është një vend i vogël. Sipas tij, njësoj do të jetë edhe për Partinë Demokratike të Kosovës, pas zgjedhjeve të 14 marsit, që do t’i mbajë LDK-ja.

“Kosova është vend i vogël dhe partitë politike e njohin shumë mirë njëra-tjetrën. Edhe çdo lëvizje në një parti determinon zhvillimet në partinë tjetër dhe rrjedhimisht në këtë rast edhe ndërrimi i lidershipit në një parti do ta determinojë ndërrimin e lidershipit ose ndërrimin e qasjes në një parti tjetër. Kështu që, mund të jetë edhe kjo dhe pritet të shihet se çfarë po ndodh në LDK dhe pastaj bazuar në zhvillimet në LDK të mund të veprojë edhe PDK-ja, në kuptimin e përshtatjes me një realitet të ri. Për shkak se PDK-ja duhet ta ketë parasysh se prej 14 shkurtit është një realitet i ri. Prej 14 shkurtit kjo parti duhet ta ketë një qasje të re, përndryshe nuk ka gjasë që të mund të funksionojë qysh ka funksionuar deri tash në skenën politike”, theksoi Mushkolaj për Demokracia.com.

Njësoj mendon edhe analisti Shkodran Ramadani, i cili për Demokracia.com ka thënë se pa asnjë dyshim zgjedhjet e LDK-së do të ndikojnë në partitë politike e veçanërisht në PDK.

Por, sipas Ramadanit, PDK-ja duhet të bëjë ndryshime pasi që duhet të jetë një opozitë më e fortë dhe më aktive.

“Normalisht që zhvillimet më pas në Lidhjen Demokratike të Kosovës, atje ku ka garë përnjëmend do të ndikojnë edhe në zhvillimet në Partinë Demokratike të Kosovës, për shkak që nëse LDK-ja reflektoi për rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, atëherë është radha e PDK-së që ta bëjë lëvizjen e saj dhe ta gjejë një mënyrë tjetër për të qenë relevante në skenën politike. Gjithsesi unë do të dëshiroja dhe shpresoj që PDK-ja të arrijë të konsolidojë radhët e veta dhe të reformohet për shkak se duhet një opozitë e fortë përballë një qeverie kaq dominonte dhe vendi pa opozitë do të privohej nga një demokraci e shëndoshë dhe një qeverisje efektive. Do me thënë, Kosovës i duhet një Parti Demokratike e Kosovës e reformuar, e fortë dhe gjithnjë aktive në mbrojtjen e interesave qytetare dhe të jetë kritike ndaj qeverisë”, u shpreh Ramadani.

Mirëpo, ndryshe mendon Visar Ymeri. Ai në një prononcim për Demokracia.com ka thënë se zgjedhjet në LDK nuk do të mund të ndikojnë në PDK, pasi siç theksoi Ymeri, të dy partitë politike gjenden në situata të ndryshme.

Ymeri ka thënë se PDK-ja nuk duhet të ngutet në reformë dhe se një gjë të tillë duhet ta bëjë në mënyrë graduale dhe në përputhje me idenë, konceptin dhe jo të ndërlidhet me pushtetin apo me ndonjë parti tjetër.

“Nuk më duket se këto dy çështje kanë ndonjë ndërlidhje. Situata në LDK është tjetër fare. LDK-ja ka pësuar rënie shumë më të madhe. LDK-ja vazhdon të udhëhiqet nga një strukturë që ka 10 vjet në krye të partisë. Te PDK-ja situata është tjetër. Mendoj që PDK-ja nuk ka pse ngutet në reformë. Duke e menduar dhe bërë atë gradualisht, mendoj që i përfshijnë më mirë strukturat e veta dhe mund të krijojnë hapësirë më të mirë për një diskutim përmbajtjesor brendapartiak për rrugën që duhet ndjekur. Reforma partiake duhet bërë në përputhje me idenë, konceptin e programin, e jo e ndërlidhur me pushtetin ose ndonjë parti tjetër”, ka deklaruar Ymeri për Demokracia.com.

Theksojmë se në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka arritur të sigurojë vetëm 103 mijë e 507 vota apo 13.08 për qind, rezultat ky që e radhiti si partinë e tretë dhe njëherësh më i dobëti në historinë e LDK-së.

Për shkak të këtij rezultati, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit, duke i hapur rrugë kështu zgjedhjeve të reja të brendshme në këtë parti.

Zgjedhjet e brendshme të LDK-së do të mbahen më 14 mars dhe deri më tani kandidat për të parin e këtij subjekti politik janë Anton Quni, Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku dhe Besian Mustafa. /Demokracia.com/

Të ngjashme