Vizitat e krerëve të lartë të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, analistët po i shohin nga këndvështrime të ndryshme. Por, këtë vëmendje të madhe të shteteve të fuqishme të botës, ata konsiderojnë se Kosova duhet ta shfrytëzoj për progres.
Vizitat zyrtare të krerëve të shtetit të Kosovës, së fundmi janë shpeshtuar. Presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti po qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një vizitë zyrtare.
Por, analistët kanë këndvështrime të ndryshme sa u përket këtyre vizitave. Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”, nuk pret që këto vizita të jenë produktive.
“Shumica e këtyre takimeve nuk janë takime që në një far mënyre që munden me i sjell të mira Kosovës përjashtimisht ndoshta takimi Berlinit i cili me një far mënyre po ri aktualizon procesin e Berlinit dhe njëkohësisht po krijon mundësinë që sa më shpejt po krijon një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë dhe njëkohësisht t’i hap rrugë Ballkanit për integrim ose para integrim dhe njëkohësisht Kosova ta kaloj atë barrierën e dialogut me Serbinë dhe të filloj të mendoj edhe për procese tjera integruese mundet të konsiderohet pozitive”, tha ai.
Këto takime ndryshe po i vlerëson analisti tjetër, Gazmir Raci. Ai i sheh si sinjale pozitive intensifikimin e vizitave të krerëve të lartë jashtë shtetit duke marrë për bazë luftën në Ukrainë dhe që Kosova mund të përfitojë nga këto ndryshime.
“Është me rëndësi që përpos punëve të brendshme që i bëjnë liderët institucional ata të jenë edhe në diplomaci aktiv. Kjo po vërehet që në këtë fillim viti Presidentja dhe Kryeministri janë shumë prezent në diplomaci. Natyrisht Kosovën e bënë më atraktive në kuptimit që ajo është pjesëmarrëse dhe prezentë kudo që ka samite dhe takime të ndryshme, në rastin që tashmë Bota gjendet në një luftë të re në Ukrainë, kjo ka rëndësi që Kosova të përfitoj sa ma shumë nga këto ndryshime të reja Gjeopolitike”, tha ai për RTK.
Por, shtimin e vëmendjes së shteteve të fuqishme të botës mbi çështjen e dialogut, analistët e shohin si moment që duhet ta shfrytëzojnë institucionet tona për të arritur një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Vëmendja e SHBA-së, Gjermanisë, por njëkohësisht Britanisë dhe Francës sa i përket çështjes së Kosovës dhe çështjes së dialogut me Serbinë ka qenë e vazhdueshme dhe ajo çka duhet të bëjnë institucionet tona dhe njëkohësisht të Serbisë është që të shfrytëzojnë këtë vëmendje dhe këtë interesim të madh të perëndimit që me arrit një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë që njëherë e përgjithmonë këtë sagën e dialogut”.
“Është me rëndësi që SHBA-të janë rikthyer në dialog së bashku në BE, në këtë rast më Gjermaninë po ashtu edhe me Francën. Kemi një bashkërendim të shteteve anëtare të grupit të Qunitit apo Grupit të Kontakit që kanë qenë të kaluarën për Kosovën. Është me rendësi që tashmë kemi një diplomaci të unifikuar në raport me Kosovën dhe Serbinë dhe se nga Kosova pres qasje serioze dhe profesionale në adresimin e sfidave që po dalin në kuadër të dialogut me Brukselit”, tha i.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u takuan të mërkurën e kaluar në një darkë joformale në Berlin, për herë të parë që nga korriku i vitit të kaluar, e tani pritet takimi i ri në nivel kryenegociatorësh.