Lajme
Analistët: Nëse vendi shkon në zgjedhje, fajtore të gjitha partitë politike
Demokracia
17:30 | 18 Mars 2021

Share:

Java e ardhshme në vendin tonë do të jetë e rëndësishme sa i përket zhvillimeve politike. Tri institucionet më të larta pritet të bëhen me udhëheqës. Megjithatë, ka ende dyshime për votimin e presidentit, pozitë të cilën po e synon Vjosa Osmani. Ka shumë paqartësi se a do t’i bëhet kuorumi kësaj të fundit, por nëse nuk ndodhë një gjë e tillë, analistët për Demokracia.com vlerësojnë se faji duhet t’u atribuohet të gjitha partive, duke përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës do të mbahet të hënën, më 22 mars, e menjëherë pas kësaj, edhe ajo për formimin e Qeverisë.

Pak ditë më pas pritet të votohet edhe për presidentin. Kandidate për këtë pozitë, deri më tani është vetëm Vjosa Osmani.

Kushtetuta përcakton se Presidenti i Republikës duhet të zgjidhet me të paktën 61 vota (në raundin e tretë), por kërkon që në procesin e votimit të marrin pjesë të paktën 81 deputetë. Presidenti i ri duhet të zgjidhet brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes.

Partitë opozitare ende me paqartësi për qëndrimin në sallë

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka ripërsëritur se kjo parti nuk do ta votojë për presidente Vjosa Osmanin, teksa ka theksuar se qëndrimi apo jo në sallë ditën e votimit është çështje teknike.

Ndërkaq, edhe nga dy partitë tjera, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, janë shprehur se nuk do t’i japin votat për Osmanin, por kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është shprehur se konsideron që duhet të shmangen zgjedhjet e reja.

Analisti politik, Visar Ymeri, në një prononcim për Demokracia.com thekson se mundësimi i kuorumit mund të bëhet edhe duke votuar kundër.

“Mundësimi i kuorumit mund të bëhet duke votuar kundër. Por, megjithatë është mundësim i zgjedhjes së znj. Vjosa Osmani si presidente e vendit”, tha Ymeri.

Ai thekson se LDK-ja duhet të ketë qasje të opozitarizmit konceptual, për ta shpërfaqur kështu mungesën e konsistencës politike të LVV-së.

“Unë mendoj që LDK duhet të ketë qasje të opozitarizmit konceptual e koherent për ta shpërfaqur kështu mosunitetin ideologjik të VV-së dhe mungesën e konsistencës politike në kampin 50 për qind”, tha Ymeri.

Sipas Ymerit, Lidhja Demokratike e Kosovës, në këtë situatë ka të drejtë të thotë se nuk duan një president partiak, pasi deri më herët edhe LVV-ja ishte për një gjë të tillë.

“Kjo nuk është domosdoshmërisht e lidhur me postet politike. Tash presidenti dallon nga postet tjera për shkak të kërkesave e ingerencave kushtetuese që ky pozicion bart. Dhe në këtë drejtim LDK tash ka të drejtë kur thotë që nuk duam president partiak. Por, këtë qëndrim nuk e kanë pasur asnjëherë më parë. Dhe në anën tjetër është VV ajo që deri dje insistonte në president jopartiak, e cila sot po insiston në president partiak”, pohoi Ymeri.

Ymeri tutje ka deklaruar se partitë politikë në vend shkojnë drejt interesave personale, kur marrin pushtetin.

“Kjo spirale e mungesës absolute të konsistencës e të parimësisë në politikë duhet të përfundojë disi. Ndërkohë që fatkeqësisht Kosovës po i përsëritet e njëjta: kur janë në opozitë partitë politike kanë gojën plotë parime, kur marrin pushtetin kanë mendjen plotë interesa vetanake. Dhe, fatkeqësisht, VV nuk po duket ndryshe në këtë drejtim”, shtoi Ymeri.

Nëse vendi shkon në zgjedhje, faji u atribuohet të gjitha partive

Analisti politik, Shkodran Ramadani, në një bisedë për Demokracia.com ka thënë se nuk mjafton që LDK-ja të qëndrojë në sallë, por të marrë pjesë në votim, sepse ndryshe nuk do të kontribuojë në sigurimin e kuorumit për LVV-në.

“Kuorumi përcaktohet prej votave në kuti, nuk mjafton vetëm të qëndrohet në sallë të plotësohet kuorumi, por edhe duhet të merret pjesë në procesin e votimit. Kështu që LDK-ja edhe nëse rri në sallë dhe nëse nuk merr pjesë në proces të votimit, atëherë nuk do të kontribuojë në sigurimin e kuorumit për VV-në”, tha Ramadani.

Sipas Ramadanit, LDK-ja nuk është e unifikuar si parti dhe mund të ndodh që një pjesë e deputetëve të marrin pjesë në procesin e votimit, ndërsa pjesa tjetër ta lirojë sallën.

“Por këtu duket që janë të pacaktuar si parti, nuk do të kenë qëndrim të unifikuar dhe në fund mund të ndodhë që një pjesë e deputetëve vullnetarisht të marrin pjesë në procesin e votimit dhe të qëndrojnë në sallë dhe një pjesë tjetër të dalë nga salla”, u deklarua Ramadani.

Këto qëndrime do të mund t’i thellonin edhe më tepër përçarjet në LDK, nëse nuk arrijnë të marrin qëndrim të njëjtë.

“Kjo mund t’i thellojë edhe më tepër përçarjet brenda LDK-së, çka që nuk arrin të rreshtohet në një qëndrim, atëherë gjuha e përbashkët do të jetë e paarritshme edhe në proceset tjera”, pohoi Ramadani.

Ramadani theksoi se është e rëndësishme të mos shkohet në zgjedhje, por nëse shkohet fajin duhet ta bartin të gjitha partitë për mosunitet në proceset vendimmarrëse.

“Është e rëndësishme të mos shkohet përsëri në zgjedhje, por faji për zgjedhje të tjera nuk duhet t’u faturohet vetëm partive opozitare, por edhe VV-së që nuk po konsultohet me partitë tjera që bashkërisht me to të nxjerrin një emër tjetër për postin e Presidentit të Kosovës. Është e rëndësishme të shmangen zgjedhjet, por nëse shkohet, fajin do ta kenë të gjitha partitë”, përfundoi Ramadani.

Çështja e presidentit mund të hidhet në votim tre herë.

Në rast se Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin, atëherë vendi shkon sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme./Demokracia.com/

Të ngjashme