Lajme
Analistët krahasojnë qëndrimet e Lajçakut në Kosovë dhe në Serbi
Demokracia
11:46 | 06 Mars 2021
FOTO: Reuters

Share:

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak gjatë javës që po lëmë pas vizitoi të dyja vendet, për të diskutuar rreth këtij procesi dhe gatishmërisë së palëve për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve.

Mirsollav Lajçak nga një deri më tre mars qëndroi në Kosovë, ku u takua me liderë politikë të vendit, ndërsa më pas vazhdoi vizitën në Serbi.

Por cilat janë mesazhet që i dërguari i posaçëm i BE-së përçoi gjatë këtyre vizitave?

Demokracia.com ka kontaktuar me njohësit e çështjeve politike, Jeta Krasniqi dhe Imer Mushkolaj.

Jeta Krasniqi nga Instituti i Kosovës për Demokraci (IKD), tha se mesazhi i Lajçakut ishte i qartë – rinisja e dialogut me Serbinë, pas formimit të qeverisë së re të Kosovës.

“Ajo që ne pamë nga z.Lajçak ishte përkushtimi i tij për të vazhduar dialogu Kosovë-Serbi, mesazhet e tij shkonin në atë drejtim, ishte më se e qartë se kërkonte në të njëjtën kohë të dërgonte mesazhin që tashmë ka një unitet transatlantik mes Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve për të përçuar mesazhin se duhet të jetë pra një rikthim në dialogun Kosovë-Serbi në momentin kur formohet edhe qeveria e re e Kosovës.”, tha Krasniqi.

Ajo tutje për Demokracia.com tha se për dallim prej herëve të tjera kur Lajçak kishte bërë deklarata komplet të ndryshme në të dy vendet, këtë vit nuk është parë diçka “që do të krijonte revoltim”.

“Gjithsesi, nga i dërguari për dialogun nuk kemi parë si herën e kaluar ku z.Lajçak bënte deklarata komplet të ndryshme në Kosovë edhe në Serbi. Pamë gjithashtu deklaratat e presidentit të Serbisë nga një moment gjatë këtyre ditëve e ka përmendur edhe faktin që është nervozuar apo që kishin qenë në afërsi të një incidenti përballë pozicionit të Kosovës për njohje reciproke, por nuk pamë diçka që mund të them që ishte komplet e kundërt apo që mund të krijonte një revoltim, mund ta them ashtu kushtimisht në Kosovë, siç kishte ndodhur herën e kaluar kur z.Lajçak kishte deklaruar në Serbi që kushtetuta e Kosovës nuk është bibël dhe ajo mund të ndryshohet.”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj për Demokracia.com ka thënë se qëllimi i vizitës së Emisarit Lajçak ka qenë që të kuptojë nëse kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti e ka prioritet dialogun me Serbinë.

“Përshtypja ime është që qëllimi kryesor i vizitës së Lajçakut ka qenë për të parë nëse Kurti e ka prioritet dialogun, kur them e ka prioritet e kam fjalën prioritet në krye të listës së prioriteteve ose jo, për shkak se nga ana e Beogradit po duket se ata janë në rregull, në kuptimin e vullnetit që po e tregojnë, të paktën deklarativisht, dhe në një njëfarë forme e mori këtë zotim prej Kurtit, se dialogu do të vazhdojë por siç e ka thënë më herët zoti Kurti, me një mënyrë tjetër ose me një qasje tjetër, jo sikur ajo që ka qenë deri tani”, tha Mushkolaj.

Megjithatë, Mushkolaj thekson se gjatë kësaj vizite të Lajçakut ka vërejtur një “gjuhë më të butë” në krahasim me herët e tjera.

“Gjatë kësaj vizite e kam vërejtur një lloj ta quaj zbutje të gjuhës së tij, në kuptimin se nuk ka përmendur afate strikte siç ndodhur më herët, tha se marrëveshja mund të arrihet gjatë mandatit të qeverisë Kurti, që nënkupton se nuk bëhet fjalë për vite por mbase për muaj. Kjo është e pritshme sepse pavarësisht trysnisë dhe deklarimeve që u bënë më herët ka qenë e qartë se marrëveshja nuk mund të arrihet shpejtë dhe në anën tjetër për shkak të atij skandali me hartën e Kosovës në Serbi, ai të paktën gjatë konferencës me Josep Borrell, iu referua Kosova dhe Serbia dy vende, ndërkohë që herëve të tjera i referohej Prishtina dhe Beogradi.”, tha ai për Demokracia.com.

Mushkolaj tutje u shpreh se pozicioni i Lajcakut është i vështirë, për shkak se Bashkimi Evropian e njeh Serbinë, por jo edhe Kosovën.

“Pozicioni i tij është shumë i vështirë. Përfaqëson BE-në që e njeh Serbinë po nuk e njeh Kosovën, ky është problem që prej fillimit jo vetëm për Lajçakun, por ka qenë problem edhe për zyrtarët e tjerë të Bashkimit Evropian, siç e shoh unë është e natyrshme edhe në aspektin personal edhe ndoshta në aspektin zyrtar që ai të bëj deklarata të tilla për shkak se në Beograd është kryeqyteti i një vendi që Bashkimit Evropian e njeh edhe që është në rrugë drejt anëtarësimit, ndërsa Kosova sipas Bashkimit Evropian është një shtet që nuk ekziston realisht.”, shtoi ai.

Kujtojmë se pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, Bashkimi Evropian kërkoi që dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi të jetë një ndër prioritetet e qeverisë në ardhje, raporton Demokracia.com.

“Rruga evropiane e Kosovës shkon edhe përmes normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve me Serbinë dhe BE-ja pret nga autoritetet në Prishtinë që të angazhohen në mënyrë konstruktive me qëllim të vazhdimit të takimeve në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe ta shfrytëzojnë rastin që kanë përpara për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse.”, thuhet në komunikatën e përbashkët të të dy zyrtarve të lartë evropian, Josep Borrell dhe Oliver Verhelyi.

Ndërkaq, edhe Lajçak gjatë vizitës së tij në Kosovë tha se dialogu duhet të përfundojë me marrëveshje brenda disa muajve.

Kujtojmë se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ka filluar më 8 mars të vitit 2011, dhe deri më tani janë arritur gjithsej 35 marrëveshje, duke përfshirë marrëveshjet e rinegociuara dhe planet e zbatimit./Demokracia.com/

Të ngjashme