Lajme
Ana tjetër e deklaratës së dorëheqjes| Albin Kurti dështoi t’i ofronte Demaçit analizë të saktë për situatën
Demokracia
21:08 | 31 Mars 2022

Share:

Më 2 mars 1999, në muajin kur nisën bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe, kryeministri aktual Albin Kurti kishte dhënë dorëheqje nga zyra e Adem Demaçit.

Albin Kurti e kishte dhënë lajmin për ndarjen e rrugëve për shkak të zhvillimeve në Rambuje, shkruan Demokracia.com.

Ai herë ishte përshkruar si asistent i Demaçit, herë si përkthyes në kuadër të zyrës së tij për analiza, propozime dhe këshilla politike.

Zyra e Demaçit ishte tërhequr nga misioni i saj i parë, siç thuhet në deklaratë, për të mos shkaktuar fërkime brenda UÇK-së, e cila ishte pjesë e delegacionit kosovar në Rambuje.

Duket se Albin Kurti nuk kishte qenë në gjendje t’i ndihmonte me analizë të saktë Adem Demaçit as për Rambujenë, ngase prej asaj marrëveshje erdhi deri te bombardimi i NATO-s ndaj Serbisë, që kulmoi me çlirimin përfundimtar të Kosovës në qershor 1999, shkruan Demokracia.com.

Kjo zyrë, që udhëhiqej nga Demaçi, sigurisht e ndikuar nga analizat joadekuate në raport me situatën, asokohe akuzonte përfaqësuesit e delegacionit kosovar në Rambuje se kishin braktisur parimet e UÇK-së.

Madje duket se analizat e gabuara të Kurtit dhe Vllasit e kishin nxitur Demaçin edhe të dilte kundër Marrëveshjes së Rambujesë, duke qenë fort i bindur se ajo nuk do ta sillte lirinë.

Në dokumentin e publikuar sot në media thuhej se me daljen në shesh të individëve nga radhët e UÇK-së, të cilët po përgatisnin Marrëveshjen e Rambujesë, “punët ndryshuan”.

“Zyra e Udhëheqësit Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës z. Adem Demaçi, ka kryer me nder, përpikëri dhe ndërgjegje të lartë punën, aktivitetin dhe detyrat e veta. Ajo me konsekuencë është bazuar dhe ka ndjekur konceptet, parimet dhe bindjet e veta, të cilat janë materializim i vullnetit politik të popullit të Kosovës të shprehur në Referendumin e shtatorit të vitit 1991. Zyra jonë dhe UÇK-ja kishin parime, ideale dhe koncepte të njëjta. Mirëpo, me daljen në shesh të disa individëve nga radhët e UÇK-së, që po përgatiten të miratojnë marrëveshjen e Rambujesë, punët ndryshuan. Ky numër individësh, në këtë mënyrë, braktisën parimet themelore të UÇK-së dhe obligimin ndaj vullnetit politik të popullit, të shprehur në Referendumin e 1991-tës”, thuhet në këtë deklaratë.

Zyra e Demaçit, ku bënte pjesë si staf edhe Kurti, thoshte se nuk mund ta kapërdijë këtë marrëveshje.

“Ne nuk mund ta kapërdijmë këtë marrëveshje, sepse ajo është në kundërshtim me bindjet tona dhe me idenë tonë për jetën e lirë në trojet tona mijëvjeçare”, thuhej në fund. /Demokracia.com/

“Veterani” i Zyrës së Demaçit që pas luftës e quante Zyra e UÇK-së në Prishtinë

Të ngjashme