Lajme
Amsterdam, kaos në aeroport për shkak të grevës së stafit
Demokracia
17:59 | 23 Prill 2022

Share:

Autoritetet holandeze u kanë kërkuar pasagjerëve që të mos shkojnë në aeroportin e Amsterdamit për shkak të grevës së stafit tokësor.

Kjo gjë ka sjellë në anulime, vonesa dhe një numër të tepërt të udhëtarëve në pritje.

Për këtë arsye policia ka bllokuar edhe hyrjet kryesore rrugore. “Terminali është shumë i mbushur me njerëz dhe ne po bëjmë gjithçka që është e mundur për ta mbajtur situatën të menaxhueshme”, shpjegon menaxheri i aeroportit “Schiphol” në një deklaratë.

“Ftojmë klientët të mos vijnë më në aeroport, – është apelii tyre. – Kjo është një masë ekstreme dhe shumë e bezdisshme që jemi të detyruar ta marrim për arsye sigurie. Udhëtarët inkurajohen të kontaktojnë linjën e tyre ajrore”.

Çfarë ndodhi

Greva e personelit të shërbimit tokësor, duke filluar me ata që trajtojnë bagazhet, zhvillohet në një periudhë piku për Holandën.

Qindra mijëra njerëz kanë rezervuar pushime midis prillit dhe majit jashtë vendit. Punonjësit e KLM – kompania kryesore kombëtare – kanë pushuar së punuari për shkak se kritikojnë kushtet e punës dhe kështu mijëra bagazhe nuk janë trajtuar e kontrolluar në kabinat e avionëve jo vetëm të KLM-së, por edhe të kompanive të tjera që mbështeten në të.

Si për shembull shërbime të “Air France” ose “Delta Air Lines”. Sipas numrave të fundit në Amsterdam-Schiphol, gjysma e bagazheve çdo ditë trajtohet nga stafi tokësor i KLM, shkruan Gazeta Si.

Numrat

Ndikimi është i madh. Sipas të dhënave nga platforma e specializuar “Airline Data Hub”, 478 fluturime pasagjerësh në nisje dhe 475 në mbërritje janë planifikuar në Amsterdam më 23 prill, për një total prej gati 166,000 vendesh të vëna në dispozicion.

Ky problem ka shkaktuar anulimin e të paktën 127 fluturimeve në aeroport (në nisje dhe mbërritje) sipas të dhënave të “FlightAware”.

Edhe KLM deri më tani i është dashur të anulojë 124 fluturime, më shumë se një e pesta e atyre të planifikuara për të shtunën më 23 prill.

Kërkesat

Greva nuk u autorizua nga sindikatat. Ata që kanë pezulluar punën, kërkojnë rritje rroge dhe më pak ngarkesë.

Në terminalin e një prej aeroporteve më të ngarkuara në botë dhe të tretë në Evropë, ndodhen me mijëra njerëz që presin të shohin nëse do të mund të hipin në avion apo jo.

Nga aeroporti, sqarojnë gjithashtu se mijëra valixhe kanë mbetur në bordin e avionëve që vijnë nga jashtë dhe për këtë arsye ka edhe udhëtarë që kanë zbritur nga avioni, por presin të marrin në zotërim valixhet e tyre.

Të ngjashme