Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konfirmuar sot vdekjen e një amerikani të dytë në Sudan në vazhdën e dhunës midis palëve ndërluftuese.
“Mund të konfirmojmë vdekjen e një shtetasi të dytë amerikan dje. I shprehim ngushëllimet tona më të thella familjes”, u tha gazetarëve zëdhënësi i sigurisë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.
Kirby tha se udhëheqjes së forcave të armatosura sudaneze dhe grupit paraushtarak Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) u është thënë nga SHBA-ja se kanë përgjegjësinë për të mbrojtur civilët, joluftëtarët, stafin humanitar dhe njerëzit nga vendet e treta që po përpiqen për të ruajtur jetët.
Palët ndërluftuese njoftuan një armëpushim të hënën, megjithëse ka raportime për dhunë dhe bombardime dhe të shtëna sporadike.
Kirby tha se nivelet e dhunës duket se janë ulur ndjeshëm.
“Ne u bëjmë thirrje të dy fraksioneve ushtarake që të respektojnë plotësisht këtë armëpushim dhe ta zgjasin tutje. Dhuna duhet të ndalet”, shtoi zyrtari amerikan.