Lajme
Ambasadori Walker për titullin “Doctor Honoris Causa”: Faleminderit që më bëtë këtë nder të madh
Demokracia
13:46 | 14 Janar 2023

Share:

Ish-shefit të misionit të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, ambasadorit William Walker, të premten iu nda titulli “Doctor Honoris Causa”, nga Universiteti Publik “Haxhi Zeka”, në Pejë.

Walker gjatë fjalës së tij, tha se do donte të fliste për masakrën e Reçakut, por siç tha ai këto fjalë do donte t’i ruante për të dielën (15 janar), ditën kur ka ndodhur masakra e Reçakut.

Walker pas marrjes së titullit “Doctor Honoris Causa” falënderoi Universitetin “Haxhi Zeka”, ndërsa tha se është krenar për marrjen e këtij titulli nga ky universitet.

Ai gjithashtu tha se këtë çmim është duke e marr në njërin nga qytetet më të parapëlqyera të tij, duke lëshuar dhe një batutë për kryeministrin Kurti e Behgjet Pacollin.

“Dua të falënderoj Universitetin ‘Haxhi Zeka’, për nderin që më keni bë mua sot. Kam dëgjuar shumë për këtë universitet dhe jam krenar që ta marr çmimin sot. Kjo po ndodh sot në Pejë, njëri nga vendet e parapëlqyera në Kosovë. Mendoj që Kurti dhe Pacolli do të donin të kishin lindur në Pejë. Prej vizitës time të parë në Kosovë asnjëherë nuk e kam lënë pa e vizituar Pejën. Kam marr gjithmonë mikpritjen të ngrohtë, si nga njerëzit Ekrem Lluka, familja Kelmendi, rektori i Universitetit, etj”, u shpreh ai.

Ai po ashtu tha se kudo që ka shkuar nëpër botë, askund nuk është dëgjuar të jetë kënduar më bukur kënga e vendit tim.

“Siç është përmendur në biografinë time, kudo që kam shkuar si ambasador çdo herë është kënduar kënga e vendit, mirëpo asnjëherë nuk është kënduar më bukur se si kori sot këtu. Himnin tim kombëtar që këta e këndojnë aq shumë bukur, kjo më bën të mendoj që ata e kanë kënduar shumë shpesh”.

Walker po ashtu përmendi edhe kohën me COVID-19, ku fatkeqësisht siç tha ai për tri vite radhazi nuk ka arritur t’i vizitojë qytetarët e Reçakut.

“Fatkeqësisht në vitet 2020, 2021 dhe 2022 s’kam arritur t’i vizitojë qytetarët e Reçakut, kjo për shkak se nuk ndihesha mirë, dhe kam mbetur në shtëpinë time, shkak COVID-19. Jam shkëputur pak nga Kosova këto vite. Një qeveri e re erdhi në vend, personalitetet të reja erdhën që do të udhëheqin me këtë vend. Një udhëheqësi e re, e cila duhet të testohet…Kanë ndodhur trazira më tej në peizazhin evropian këto vite. Pra këto kanë qenë vite të rëndësishme në Kosovë, një kryeministër i ri, kabinet i ri dhe uroj që të bëni zgjidhje të problemeve me të cilat ky vend po përballet”, ka thënë ai.

Të ngjashme