Ambasadori i Spanjës në Beograd, Raul Bartolome Molina, nuk e ka mohuar raportimin e Demokracia.com se ky shtet pritet hap një zyrë ndërlidhëse në Prishtinë. Megjithatë ka thënë se qëndrimi i tyre për njohjen e Kosovës nuk do të ndryshojë.
Në një intervistë për medien serbe Kurir, ambasadori spanjoll, Molina thotë se pozicioni i vendit të tij për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës është i fortë, i mbështetur plotësisht dhe është i pandryshueshëm edhe nëse Madridi zyrtar hap një zyrë në Prishtinë.
LEXO EDHE:
Ai tregon se Spanja gjithmonë ka mbështetur respektimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe se ajo bëri thirrje për përmbushjen e detyrimeve nga Marrëveshja e Brukselit, e cila, sipas tij, duhet të jetë baza për negociatat aktuale mes Beogradit dhe Prishtinës, përcjell Demokracia.com.
I pyetur se sa është i fort pozicioni i Spanjës për mosnjohjen Kosovës, ai ka thënë se pozicioni i Spanjës bazohet në arsye objektive dhe ligjore.
“Pozicioni i Spanjës për çështjen e territorit të Kosovës nuk ka ndryshuar dhe as nuk do të ndryshojë. Politikisht, politika zyrtare e shtetit nuk ndryshon në raport me partinë politike ose partitë që do të ishin në pushtet në një moment të caktuar. Është një pozicion që harmonizohet me të gjithë akterët politikë dhe që bazohet në respektimin absolut të së drejtës ndërkombëtare nga Spanja. Pavarësia e njëanshme që Kosova shpalli në vitin 2008 ishte shkelje e një prej parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare – parimit të integritetit territorial. Në atë kuptim, meqenëse pozicioni i Spanjës bazohet në arsye objektive dhe ligjore, si dhe mbështetet gjerësisht në vend, ai është shumë i fortë. Çdo thashetheme për të kundërtën nuk është gjë tjetër veçse spekulim i pastër”, ka thënë ai.
Ambasadori spanjoll nuk e ka mohuar se Spanja mund të hapë një zyrë ndërlidhëse në Prishtinë.
“Sa i përket mundësisë së hapjes së një zyre në Prishtinë, duhet të kihet parasysh se shumica e anëtarëve të BE-së që nuk e njohin Kosovën janë tashmë të pranishëm në atë territor, dhe se kjo nuk presupozon ndonjë ndryshim në pozicionin e tyre. Në çdo rast, çdo vendim i Spanjës në atë drejtim sigurisht që do të merret në bashkëpunim me partnerët tanë serbë. Dhe, e përsëris, nuk do të thotë ndonjë ndryshim në qëndrimin tonë të vendosur”, ka thënë ai. /Demokracia.com/