Lajme
Ambasadori italian – Sveçlës: Kujdes nga retorika, mund t’i rrisni tensionet
Demokracia
21:12 | 31 Mars 2022

Share:

Pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi, ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, e ka porositur ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, që ta kursejnë retorikën e ashpër, sepse kjo do të mund të shpinte në rritjen e tensioneve.

Ai këtë porosi ia ka dhënë Sveçlës në takimin që kanë zhvilluar sot, shkruan Demokracia.com.

Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet një njoftimi të Ambasadës italiane në Kosovë.

Ambasadori De Riu takoi sot ministrin Xhelal Sveçla. Diskutuan për situatën e sigurisë në #Kosovë, programet dypalëshe dhe masat e marra për të shmangur incidentet para zgjedhjeve në  Serbi. Ai përsëriti thirrjen që të përmbahen nga çdo veprim dhe retorikë që mund të rrisë tensionin”, thuhet në njoftimin e tyre në Twitter.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë më 3 prill në Kosovë gjë që çoi në protesta serbët e Kosovës.

Me t’u kuptuar nga udhëheqësit serbë se zgjedhjet nuk do të mund të mbahen në territorin e Kosovës pa një marrëveshje paraprake me Qeverinë e Kosovës, më 22 mars u zhvillua takimi i disa udhëheqësve të institucioneve dhe zyrtarëve policorë nga komunat veriore kosovare me presidentin Aleksandar Vuçiç, në Beograd.

Për shkak të këtij takimi, të enjten Këshilli Gjyqësor i Kosovës suspendoi nga puna gjyqtaren e minoritetit serb nga Kosova, Liljana Stevanoviq e cila mbanë postin e kryetares së Gjykatës Themelore të Mitrovicës.

Pas këtij vendimi, presidenti i Serbisë, Vuçiq, doli me një video-mesazh, siç e ka quajtur ai urgjente, ku thotë se me vendimin e tij kryeministri Kurti synon të sulmojë serbët kudo që janë, “por, çka do që të bëni, Serbia është me popullin e saj”.

Në këtë mbledhje përpos gjyqtares së suspenduar, morën pjesë edhe një ministër i Qeverisë Kurti, disa deputetë serbë të Kuvendit të Kosovës dhe zyrtarë të tjerë serbë të institucioneve të Kosovës.

Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë vazhdimisht thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve serbe.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020 të mbajtura sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i ka grumbulluar votat. Ato vota më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë. Kjo praktikë ishte krijuar qysh në vitin 2017. /Demokracia.com/

Të ngjashme