Lajme
Ambasadori i përfshirë në skandalin “vehement” pozon krah Gërvallës
Demokracia
12:02 | 11 Korrik 2022

Share:

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, po e vazhdon i qetë punën e tij në Zagreb, ndonëse para publikut kosovar ende nuk është sqaruar për aferën që u publikua nga mediat sllovene, ku u përfol si i përfshirë në një aferë rajonale për shpëlarjen e parave.

Institucionet e Kosovës nuk kanë marrë ndonjë masë dhe as nuk kanë dhënë ndonjë sqarim të plotë për rastin Martin Berishaj, përkundër që kanë kaluar disa muaj që kur televizioni slloven, Planet TV, raportoi se rreth 600 mijë euro para ‘cash’ janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Ky i fundit ishte thënë se kishte rolin e “mushkës” apo transportuesit të parave.

Implikimi i tij në këtë aferë nuk e ka penguar Ministren e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, që të paraqitet përkrah Martin Berishajt në Forumin e 15-të Ndërkombëtar të Dubrovnikut, shkruan Demokracia.com.

Madje, ambasadori i dyshuar si i përfshirë në shpëlarje parash tha fjalë të mëdha për shefen e tij.

Për më tepër, ambasada e udhëhequr nga Berishaj e ka cilësuar përfaqësimin që i ka bërë Gërvalla Kosovës si “vehement”, fjalë kjo që nuk gjendet në fjalorin e gjuhës shqipe.

Nëse e përkthejmë nga gjuha angleze, kjo fjalë ka kuptimin e “shfaqjes së ndjenjave të forta; të fuqishme, pasionante apo intensive”.

Etimologjia e fjalës është nga frëngjishtja e vjetër dhe nënkupton sjellje të “rrëmbyer” e të “dhunshme”.

“Prezentim vehement i ministres Gërvalla në Dubrovnik. Në Forumin e 15-të Ndërkombëtar të Dubrovnikut, Kosova u prezantua me ministren e Puneve të Jashtme dhe të Diasporës znj Donika Gërvalla, ku moren pjesë rreth 40 ministra dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë, kryesisht nga vendet e Evropës Jugore, Juglindore dhe Qendrore, si dhe përfaqësues të disa institucioneve evropiane dhe organizatave ndërkombëtare, si dhe të sektorit të biznesit. Konferenca tradicionale ndërkombëtare e Forumit të Dubrovnikut me moton “A quest for balance in a ëorld disrupted”. Forumin e sivjetëm të Dubrovnikut e hapi kryeministri i Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq, dhe kryeparlamentari kroat Gordan Jandrokoviq. Kryeministri Plenkoviq në veçanti foli për gjendjen e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe për temat që janë veçanërisht të rëndësishme për pjesën tonë të botës dhe Evropës.”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kroacisë.

Në këtë njoftim thuhet se ministrja Gërvalla ishte pjesë e panelit kryesorë krahas ministrit kroat Gordan Grliq Radman, atij grek Nikos Dendias, malazezit Ranko Krivokapiq, zv.ministrit boshnjak Josip Brkiq, Miroslav Lajçak, etj.

“Në këtë panel fjala e ministres Gërvalla u prit me interes të madh, ku ajo shpaloi të arriturat e Qeverisë së Kosovës në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar si dhe synimet e palëkundura të diplomacisë së Kosovës Dëshmi kjo që ngjalli interes për takime të shumta bilaterale me homolog të saj.”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Edhe presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti, pas publikimit të skandalit e kanë mbrojtur ambasadorin Berishaj.

Megjithatë, “mbrojtësit” e ambasadorit Berishaj nuk e kanë thënë asnjë fjalë pse ai ka pranuar qindra mijëra euro nga kompania GEN-I me seli në Beograd, në emër të shërbimeve këshillimore.

Dyshohet se në xhirollogarinë e MB Consulting, kompani në pronësi të Berishajt e regjistruar në Mal të Zi, nga GEN-i dega në Serbi janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro për çdo muaj, raporton Demokracia.com.

Ky televizion ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

Pagesat ishin kryer nga dega për Serbi e GEN-I (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompania ka marrëveshje për këshillime./ Demokracia.com/

Të ngjashme