Christopher Hill, ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, është deklaruar “pro” idesë së “Ballkanit të Hapur”.
Hill, ka thënë se SHBA-të i mbështetin të gjitha përpjekjet që synojnë integrimin rajonal, raporton Tanjug.
“SHBA mbështet të gjitha përpjekjet që synojnë integrimin rajonal dhe një iniciativë që është zhvilluar brenda rajonit dhe që ka shkuar më tej se sa disa iniciativa të tjera. Ballkani i Hapur është i fokusuar në aktivitete ekonomike, por edhe të afrojë rajonin më shumë”, ka thënë Hill.
Tutje, ambasadori amerikan në Serbi, ka thënë se kufijtë duhet t’i bashkojnë vendet e jo t’i ndajnë ato, siç ndodhë në Ballkanin Perëndimor.
“Nëse mendoni rreth asaj se sa kufij janë në Ballkan, dhe pastaj kur të shkoni tek kufijtë te Bashkimit Evropian, ju mund të shkoni deri në Suedi pa pasur asnjë pengesë. Por në Ballkan ka disa pengesa. Kufijtë duhet t’i bashkojnë vendet e jo t’i ndajnë ato”, ka deklaruar ai.
Me tej, Hill ka deklaruar se ai nuk do të kishte aspak interes nëse “Ballkani i Hapur” do të konsiderohej si alternativë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Me lejoni të them se unë nuk do të kisha aspak interesim në Ballkanin e Hapur nëse në çfarëdo lloj mënyre do të konsiderohej një alternativë për anëtarësim në BE”, ka shtuar Hill.