Lajme
Ambasadori Hill: Nëse dialogu Kosovë-Serbi do të ishte i lehtë, çështja do të zgjidhej shumë kohë më parë
Demokracia
23:00 | 02 Maj 2022

Share:

Ambasadori amerikan, Christopher Hill, ka thënë se Bashkimi Evropian po bën më të mirën në dialogun Kosovë-Serbi.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadori i ri i SHBA-së në Serbi ka deklaruar se negociatat nuk janë të lehta, sepse nëse do të ishte kështu, ato do të zgjidheshin shumë kohë më parë, përcjell Demokracia.com.

Ai tutje ka shtuar se “nuk janë diplomatët amerikanë ata që duhet t’u thonë serbëve se çfarë të bëjnë”.

“Për këtë do të vendosin Kosova dhe Serbia. E di që BE-ja po përpiqet shumë të vendosë në tryezë ide të ndryshme, tema për të diskutuar, për të ruajtur vrullin. Nuk është shumë argëtuese të jesh ndërmjetësues, e kam bërë këtë në të kaluarën. Negociatat janë shumë të vështira dhe e di që BE-ja po bën më të mirën që mundet dhe Serbia dhe Kosova duhet ta respektojnë këtë. Këto çështje nuk janë të lehta, nëse do të ishin, do të ishin zgjidhur shumë kohë më parë. Duhet të kuptojmë vështirësitë, por jo të mbetemi peng i tyre, por të shohim se ku do të donim të arrinim. Duam të ngecim në këtë kohë apo duam një jetë më të mirë për popullin e Serbisë. Por, nuk janë diplomatët amerikanë ata që duhet t’u thonë serbëve se çfarë të bëjnë”, ka thënë ai.

Vlen të përmendet se Hill ka nisur detyrën e tij të re në Serbi që nga 1 prilli, përcjell Demokracia.com.

Ambasadori i ri i SHBA-së ishte i dërguari special i SHBA-së për Kosovën dhe luajti një rol kyç në negociatat që çuan në konferencën e Rambujesë të vitit 1999 dhe çlirimin e Kosovës. Hill konsiderohet mik i madh i Kosovës.

Krahas Beogradit, Hill ishte në detyrë edhe në Shkup dhe Tiranë. Ai shërbeu si ambasador në Korenë e Jugut, Irak dhe Poloni. /Demokracia.com/

Të ngjashme