Lajme
Ambasadori gjerman kërkon që Qeveria e re e Kosovës t’i ketë këto dy prioritete
Demokracia
12:30 | 05 Shkurt 2021

Share:

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se si prioritet i parë për Qeverinë e re përpos pajtimi për çështjen e presidentit, duhet të ketë edhe punë efektive për të tejkaluar pasojat e shkaktuara nga pandemia.

Kështu ka deklaruar ai në një intervistë për Kosova Press, ku mes tjerash, ka thënë se Qeveria e re duhet t’i ketë dy prioritete, luftimin e korrupsionit dhe dialogun me Serbinë, përcjell Demokracia.com.

“Përtej pajtimit rreth çështjes së presidentit si prioritet të parë për qeverinë e re, e shoh punën sa më efektive të mundshme për të tejkaluar pasojat gjithëpërfshirëse dhe shkatërruese ekonomike, financiare dhe sociale të shkaktuara nga pandemia. Kjo vlen për të gjitha qeveritë në Evropë dhe gjetiu, natyrisht, mirëpo çështja është edhe më e vështirë kur nuk jeni një shtet i pasur. Këtu bashkëpunimi i ngushtë në mes qeverive, përfshirë ato të vendeve fqinje është një obligim. Përveç kësaj unë i shoh dy prioritete për Kosovën:

E para, është koha e fundit që qeveria e re të fillojë seriozisht të ‘fjalët t’i zëvendësojë me vepra’ duke e luftuar korrupsionin dhe krimin në mënyrë thelbësore: fatkeqësisht indeksi i korrupsionit për vitin 2020, i publikuar javën e kaluar nga Transparency International e ka zbuluar një trend shqetësues për Kosovën dhe shtete e tjera të Ballkanit Perëndimor gjithashtu. Për të katërtën herë me radhë Kosova është vlerësuar keq në rangim duke rrëshqitur rishtazi në vendin e 104. Kjo situatë e pakënaqshme është e theksuar gjithashtu edhe në Raportin e Progresit të BE-së për Kosovën, i cili thotë: “korrupsioni është i përhapur dhe mbetet një çështje serioze shqetësueses. Ekziston nevoja për një vullnet të fortë politik për të adresuar çështjet e korrupsionit”. Mos marrja seriozisht e këtij shqetësimi të BE-së padyshim do të ndikojë negativisht në procesin e mëtejmë të integrimit të Kosovës në BE.

E dyta, Dialogu me Serbinë. Një qeveri e re dhe stabile me një mbështetje të fuqishme parlamentare nevojitet të investojë kapitalin politik dhe vullnetin politik në këtë dialog të lehtësuar nga BE – siç nevojitet ta bëjë edhe Serbia – për të arritur progresin e nevojshëm për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që synon një normalizim të plotë të marrëdhënieve. Kjo nga ana tjetër do të trasojë edhe më tej rrugën drejt anëtarësimit në BE, sepse nuk është e imagjinueshme që BE të pranojë shtete të reja anëtare që nuk e njohin njëri-tjetrin.”, ka thënë ai.

Intervistën e plotë të ambasadorit gjerman mund ta lexoni duke klikuar KËTU.

Të ngjashme