Lajme
Ambasadori britanik: Kosova ta formojë sa më shpejt kuvendin e qeverinë
Demokracia
16:43 | 20 Maj 2025

Share:

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me anë të një kolumneje i ka bërë thirrje lidershipit politik të Kosovës që ta formojë sa më shpejt kuvendin dhe qeverinë e re.

Hargreaves bëri thirrje për vendosmëri nga liderët politikë kosovarë, përgjatë gjithë spektrit politik, duke thënë se Kosova ka nevojë për ta marrë iniciativën dhe për të shmangur mundësinë që e ardhmja t’i përcaktohet nga veprimet e të tjerëve.

“Ashtu si po ndodh me marrëdhënien e re Mbretëri e Bashkuar – BE, ai inkurajoi Kosovën të ofrojë pragmatizëm, dhe jo pozicione puriste. Disa vende të Ballkanit Perëndimor po shënojnë përparim të mirë drejt hyrjes në BE. Nëse materializohen hapa konkretë drejt paqes në Ukrainë, mund të përshpejtohet edhe progresi drejt anëtarësimit në BE”.

“Mbretëria e Bashkuar gjithashtu do të donte ta shihte Kosovën në NATO – atëherë kur forcat dhe mekanizmat e saj të mbikëqyrjes të përmbushin standardet përkatëse. Në mënyrë që të arrihen këto qëllime, Kosova do të ketë nevojë për diplomaci të shkëlqyer aktive – përfshirë marrjen e vendimeve të vështira – për të arritur këto dy qëllime, duhet filluar me hapa të rinj përpara në procesin e normalizimit me Serbinë”, tha Hargreaves në kolumnen e tij të shpërndarë për media, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, ambasadori britanik tha se Kosova duhet të jetë e gatshme t’i avancojë interesat e saj teksa shtoi se “ne, në Mbretërinë e Bashkuar e duam Kosovën pjesë të Këshillit të Evropës”.

“Anëtarësimi i Kosovës mund të votohet në çdo moment – kur Kosova ta ketë kryer punën e vështirë për të bindur shtetet anëtare se korniza e saj ligjore mbresëlënëse mbështetet nga një qëllim i vërtetë për të mbrojtur komunitetet joshumicë” tha ai.

Të ngjashme