Lajme
Ambasada franceze kundër urdhrit të Erden Atiq për ndërtesën në veri, shpërndan deklaratën e Stanos
Demokracia
12:48 | 25 Gusht 2023

Share:

Bashkimi Evropian të mërkurën shprehi shqetësimin për dorëheqjet e policëve serbë nga Policia e Kosovës. Ndërkaq, dje BE shprehi shqetësim edhe për implikimet e mundshme nga urdhri i kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ndaj punonjësve të strukturave ilegale në një objekt komunal në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë për t’i ‘liruar’ ato brenda tri ditëve.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, të mërkurën kishte thënë se BE dënon presionin e frikësimin që po iu bëhet pjesëtarëve joshumicë të Policisë së Kosovës, për të cilët tha se “kanë një rol për të luajtur duke kontribuar në sigurinë e komunitetit të tyre përmes punës të orientuar drejt komunitetit”.

“Ne dënojmë presionin psikologjik, frikësimin dhe kërcënimet për hakmarrje ndaj pjesëtarëve serbë të Policisë së Kosovës, të cilat thuhet se kanë motivuar dorëheqjen e policëve të saporekrutuar”, ka deklaruar Stano.

Derisa, të premten, Stano komentoi edhe vendimin e fundit Mitrovicës së Veriut për lirimin e një objekti komunal që shfrytëzohet nga strukturat paralele të Serbisë.

“Jemi të shqetësuar për implikimet në situatën e sigurisë të vendimeve të fundit të marra nga administrata e komunës së Mitrovicës Veriore për shfrytëzimin e hapësirave dhe ndërtesave publike dhe komunale, të cilat, ndër të tjera, kërkojnë nga subjektet e drejtuara nga Serbia të lirojnë objektet e tyre, nëse ata s’e sigurojnë dokumentacionin e kërkuar brenda një afati të shkurtër. Ky vendim bie ndesh me përpjekjet e vazhdueshme për të de-përshkallëzuar tensionet mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Stano dje.

Me këto deklarata të Bashkimit Europian është pajtuar edhe ambasada e Francës në Kosovë, e cila e ka shpërndarë deklaratën e plotë të Bashkimit Europian mbi këtë çështje.

Të ngjashme