Lajme
Ambasada e SHBA-së: Është përgjegjësi e lidershipit politik në Kosovë ta formojë një Kuvend dhe një Qeveri të qëndrueshme
Demokracia
08:08 | 31 Maj 2025

Share:

Edhe pak ditë bëhen 4-muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të fundit parlamentare, përderisa Kosova ende nuk e ka konstituar Kuvendin.

Sot bëhen 24 herë prej se po tentohet të konstituohet Kuvendit, pasi që gjitha tentimet kanë qenë të kota deri më tani. Opozita refuzon ta jap votën për kandidaten e VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiun, ndërsa subjekti më i madh politik në vend (VV) nuk ia ka siguruar 61 votat e nevojshme të deputetëve.

Përplasjet mes partive, mungesa e marrëveshjeve për koalicion, zvarritja e seancave në Kuvend dhe paaftësia për të garantuar shumicë të qëndrueshme kanë krijuar një boshllëk institucional.

Në një kohë kur vendi përballet me një krizë të zgjatur politike dhe bllokim të proceseve institucionale, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë për “Front Online” ka dhënë një deklaratë të qartë, duke i bërë thirrje udhëheqjes politike që të marrë përgjegjësinë për formimin e institucioneve legjitime, në përputhje me vullnetin qytetar dhe Kushtetutën e vendit.

Në këtë sfond, SHBA-të, një nga aleatët më të fuqishëm të Kosovës kanë ritheksuar qëndrimin e tyre për sovranitetin dhe demokracinë e vendit.

“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. I takon popullit të Kosovës të përcaktojë se kush duhet t’i përfaqësojë ata. Kosova është shtet sovran, demokratik dhe i pavarur. Është përgjegjësi e lidershipit politik që të formojë një Kuvend dhe një qeveri të qëndrueshme në përputhje me Kushtetutën”, thuhet në deklaratën për FrontOnline të një zëdhënësi të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë. /FrontOnline/

Të ngjashme