Lajme
Ambasada amerikane kritikon vendimmarrjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës
Demokracia
19:57 | 08 Shkurt 2021
Ilustrim

Share:

Me kritika të ashpra i është drejtuar sot Këshilltarja Ligjore e Ambasadës amerikane, Lana Owens, Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).

Ajo para anëtarëve të Këshillit tha se KPK-ja, javën e kaluar, në kundërshtim me dispozitat ligjore ka suspenduar një prokuror, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Owens po ashtu ka numëruar edhe disa nga dështimet e KPK-së gjatë takimit të sotëm, duke potencuar se një nga vendimet e marra gjatë takimit të kësaj të hëne nga KPK-ja, është marrë në shkelje të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi.

“Është shumë e vështirë për mua si përfaqësuese e Ambasadës të kuptoj se  çfarë kërkoni nga ne, si e dëshironi mbështetjen tonë? Ju lutem që t’i përmbaheni rregulloreve të juaja. Ne do të jemi afër jush kur merrni vendime të drejta. Ka shumë gjëra të mira që mund të bëni si sistem prokurorial por ato mund ti bëni vetëm duke u mbështetur në ligj dhe rregullore”, tha Owens.

Tutje, Owens duke komentuar për vendimet e sotme të KPK-së i kritikoi ata për mosrespektim të rregulloreve lidhur me transferimin jo formal të prokurorëve, pa kaluar në një proces të rregullt të avancimit të prokurorëve në sistemin prokurorial.

Një nga këto veprime të KPK-së që ajo përmendi ishte edhe zgjedhja e ish-kryesuesit të KPK-së, prokurorit Bahri Hyseni, në Komisionin për Çështje Normative, si i propozuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, për të cilin prokuror tha se e vlerëson shumë punën dhe profesionalizmin e tij.

Përfaqësuesja e Ambasadës Amerikane,  Lana Owens po ashtu kritikoi KPK-në për qasjen e tyre në vendosjen rreth vazhdimit të kohëzgjatjes së avancimit të anëtares së KPK-së në prezencën e vet asaj anëtare. Njëkohësisht, u bëri të ditur edhe anëtarëve të KPK-së, se në mungesë të debatit në këtë mbledhje dhe një arsyetimi të mirëfilltë, për të ishte e paqartë  mënyra se si ka ardhur deri te përzgjedhja e anëtarëve prokurorë në Komisionin e vlerësimit të performancës, duke qenë se nominimet kanë qenë të parapara të bëhen nga të gjitha prokuroritë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas saj, anëtarët e KPK-së duhet të debatojnë për secilin vendim që marrin, për tu siguruar që vendimet të jenë të drejta.

Në fund të deklarimit të saj, Owens bëri të ditur se vendimmarrja e KPK-së është ajo që do të përcaktojë përfundimisht se sa do të zgjasë angazhimi i kësaj Ambasade me KPK-në.

Ndryshe, ky deklarim i Owens erdhi pasi KPK-ja, gjatë kësaj mbledhje, vendosi për një numër transferimesh të përkohshme të prokurorëve. KPK po ashtu, sipas propozimit të Kryeprokurorit të Shtetit, vendosi edhe për delegimin  nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit të ish-kryesuesit të KPK-së, Bahri Hyseni si anëtar i Komisionit për Çështje Normative. I njëjti para se të emërohet kryesues, ka ushtruar detyrën e kryetarit të këtij komisioni.

Po, ashtu KPK-ja gjatë javës së kaluar, në një mbledhje të jashtëzakonshme, pas kërkesës së kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, ka marrë vendim që ta pezullojë nga puna prokurorin Eset Rama.

Lidhur me këtë propozim të kryeprokurorit Munishi, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), përmes një reagimi të bërë më 3 shkurt 2021, kishte vlerësuar se njëra nga kërkesat e kryeprokurorit Munishi, për të filluar hetimet disiplinore, kishte të bënte edhe mos zbatimin e  urdhërim të tij që ndaj një të dyshuari të bëhet propozimi për caktimin e masës së paraburgimit, por që nuk ishte zbatuar nga ana e prokurorit Eset Rama.

Të ngjashme