OpEd
Amaneti i ministrit austriak për Ballkanin
Demokracia
14:12 | 10 Maj 2021

Share:

BE-ja nuk po vepron mjaftueshëm dhe me vendosmëri në Evropën Juglindore – kundër ndikimit të Moskës dhe Pekinit dhe kundër ideve për ndryshime të kufijve. Diplomati i lartë dhe i ndjerë austriak Albert Rohan gjithmonë angazhohej për një politikë më të fortë transatlantike në Ballkan.

Rajoni i Ballkanit është në një fazë vendimtare për të ardhmen. Ndikimi në rritje i aktorëve jo-perëndimorë si Rusia dhe Kina në Ballkan duhet të shërbejë si këmbanë alarmi për shtetet e BE-së. Publikimi së fundmi i të ashtuquajturave Non-Papers, të cilat përmbajnë ndryshime masive të kufijve, po tronditin politikën ballkanike dhe atë evropiane. Sikur BE-ja, të kishte vepruar si një aktor i aftë dhe i vendosur në Evropën Juglindore, zhvillimet do të rrjedhshin ndryshe.

Para vdekjes së tij, diplomati i lartë dhe me përvojë Albert Rohan e përshkruante debatin rreth ndryshimeve të kufijve si “një mendim fisnor mesjetar”. Dhe ai paralajmëronte, se komuniteti evropian nuk duhet ta mbështesë atë. Perspektiva e Rohan duhet të merret parasysh në të gjithë Evropën. Trashëgimia e tij diplomatike – si diplomati më i rëndësishëm ndërkombëtar i Republikës së Dytë Austriake (Paul Lendvai) – duhet të mbetet një mësim i domosdoshëm për Evropën.

Është një ditë e veçantë, në të cilën ditë Rohan e festonte ditëlindjen. Dhe, më 9 Maj është Dita e Evropës, datë në të cilën përkujtohet themelimi i organizatës pararendëse të Bashkimit Evropian. Rohan vdiq dy vjet më parë. Ai llogaritet tek ata diplomatë, që luajti një rol kryesor në formësimin e politikës së Evropës në Ballkan gjatë dekadave të fundit.

Në të njëjtën kohë, historia evropiane pasqyrohet në përvojat e tij personale. Ai dhe familja e tij u dëbuan nga tri vende (Bohemia, Hungaria dhe Niederösterreich). Ndjenja e të qenurit i dëbuar ishte padyshim një pjesë themelore e eksperiencës së tij të jetësore, diçka të cilën ai nuk donte ta shihte kurrë të përsëritej në tokën evropiane.

Koka e mençur e politikës austriake ndaj Kosovës

Që kur ai mori përsipër drejtimin e Departamentit të Evropës Lindore dhe Juglindore në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë më 1990, situata jostabile, veçanërisht në ish-Jugosllavi, ka qenë një shqetësim i thellë dhe permanent për Rohan-in. Shpesh dhe me të drejtë i referuar si truri i politikës austriake për Kosovën dhe Evropën Juglindore, ai ishte në krye të detyrës kur erdhi puna për mbajtjen e kontakteve me të gjitha palët, pa përjashtim, në ish-Jugosllavi.

Roli i Rohan-it në politikën austriake ndaj Kosovës është një analogji historike me atë të dajës së tij, i cili ishte njëherësh edhe kumbara i tij, Konti Albert Mensdorf-Pouilly, i cili si ambasador i Austro-Hungarisë në negociatat e paqes në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës (1912/13), ka luajtur një rol të veçantë në vendosjen e paqes në Ballkan e sidomos ndaj çështjes shqiptare. “Çështja shqiptare” – pjesë e së cilës ishte edhe Kosova – “ka qenë gjithmonë temë diskutimi në tavolinën tonë familjare”, ishte deklarata e Rohan-it për autorin e këtyre rreshtave, pak para vdekjes së tij. E filluar me angazhimin e dajës së tij – i cili ia la atij edhe emrin e vet Albert – që insistonte atëbotë për përfshirjen e tokave shqiptare brenda një shteti shqiptar, ku Kosova dhe vise të tjera shqiptare, si rezultat i vendimit të Konferencës së sipërpërmendur u lanë jashtë, mbeti çështje e pazgjidhur. Vite më vonë me çështjen shqiptare, do të merret një zonjë nga gjaku blu, fat i së cilës, si rezultat u martesës së saj do të lidhet përjetësisht me shqiptarët. E kush tjetër, pos kushërira e Rohan-i, Mbretëresha Gjeraldinë. E vite më vonë, do t’i vij radha Rohan-it personalisht të merret me një nga çështjet e pazgjidhura të shqiptarëve. Që nga shpërthimi i luftës në Kosovë, Rohan apelonte fuqishëm dhe pa ndërprerë, se spastrimi etnik nuk mund të jetë asnjëherë çështje e brendshme e një shteti.

Rohanit nuk i pëlqente kur e quaja “truri” i politikës austriake për Kosovën, sepse sipas tij, nuk ishte ai, por ish-shefi i tij, ministri i Jashtëm austriak Alois Mock. Si ndjekës i “politikës Mock-iane” (Gerhard Jandl), Rohan si një eminencë gri, kultivoi kontakte që në fillim të viteve 90-ta me Presidentin Ibrahim Rugovën, i cili po kërkonte një zgjidhje pacifiste për Kosovën. Në një iniciativë të guximshme më 10 korrik 1998, ai ishte një nga diplomatët e parë evropianë që negocioi me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në një nga zonat e luftës. Vetëm dy javë më parë, diplomati amerikan Richard Holbrooke ishte takuar me një komandant lokal të UÇK-së, Lum Haxhiu, ku fotografia e atij takimi qarkulloi shpejtë nëpër botë. Me qëllim të vendosjes së një dialogu serbo-kosovar, Rohan udhëtoi shpesh në Kosovë dhe Serbi, katër herë vetëm brenda vitit 1998. Kur Austria nën siglën e kryesimit të Bashkimit Evropian hapi për herë të parë zyrën e kësaj të fundit në Prishtinë, Princi Albert nuk hezitonte të kalonte natën në një dyshek në dyshemenë e kësaj zyre të marrë me qira në Prishtinë, ngaqë përpos që atëbotë nuk kishte dhoma hoteli të lira në Prishtinë, pjesa më e madhe e Kosovës ishte tashmë në luftë.

Së bashku me diplomatin tjetër austriak Ëolfgang Petritsch, i cili veproi si i dërguari i parë austriak i BE-së për Kosovën, ata luajtën një rol të veçantë në bisedimet ndërkombëtare të paqes. Jo vetëm dy diplomatët e përmendur tashmë me një finesë të veçantë diplomatike, por edhe figurat tjera austriake, sikurse Franz Vranitzky, Alois Mock, Erhard Busek, Ëolfgang Schüssel, Stefan Lehne dhe Ulrike Lunacek kanë luajtur një rol të rëndësishëm për rajonin e Ballkanit.

Ministri Austriak për Ballkanin

Si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë nga 1995 më 2001, rajoni i Ballkanit ishte një nga “specialitetet” e tij, dhe ai ishte përgjegjës me një dijeni të jashtëzakonshme për këtë rajon. Kur Rohan u pensionua në 2001, ka pasur komente të panumërta në mediat austriake, të cilat si një kor i organizuar njëzëshëm shkruanin: “Ministri i Austrisë për Ballkanin po largohet nga skena”. Realisht, ai nuk ishte asnjëherë ministër, por për Ballkanin ishte më shumë se kaq.

Zyrtarisht, Rohan ishte larguar nga skena, por skena nuk e la atë të largohet. Në vitin 2005 ai u emërua nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, si zëvendës i kryenegociatorit finlandez, Marti Ahtisaari, për të gjetur një zgjidhje për “nyjen gordiane të Ballkanit”: Kosovën. Në garën e pikëpamjeve të kundërta ndërmjet serbëve dhe kosovarëve për statusin final të Kosovës, Ahtisaari dhe Rohan arritën në përfundimin se “pavarësia e mbikëqyrur” e Kosovës ishte zgjidhja e vetme dhe reale.

“Fëmija diplomatik”: Kosova

Mozaiku i Republikës së Kosovës do të ishte i paplotë pa emrin e Albert Rohan. Ai duhet të shihet si një nga personalitetet e pakta evropiane që e ka përcjellë vazhdimisht situatën politike në Kosovë që nga shfuqizimi i autonomisë në mënyrë të dhunshme në vitin 1989. Republika e Kosovës festoi në shkurt ditëlindjen e saj të 13-të. Ajo mund të përshkruhet si “fëmija diplomatik” i Rohan-it, për të cilin ai punoi si një “mami” me përvojë diplomatike prej më shumë se 40 vjetësh për të siguruar një lindje të shëndetshme të një shteti, të cilën ai me të drejtë duke buzëqeshur dhe i shkëlqyer fytyra, e quante “fëmija im”.

Dr. Faruk Ajeti është bashkëpunëtor shkencor në Institutin Austriak për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Vjenë dhe ka mbaruar doktoratën mbi politikën e jashtme austriake në Kosovë.

Ky shkrim së pari është botuar në gazetën ditore austriake “Die Presse” dhe me disa ndryshime ribotohet me lejen e autorit.

Të ngjashme
OpEd • 19 Prill 2024
OpEd • 18 Prill 2024