Lajme
Aliu: Rruga Prishtinë-Podujevë pritet të përfundojë pas 3 muajve
Demokracia
13:28 | 07 Prill 2022

Share:

Rruga Prishtinë-Podujevë është njëra ndër rrugët që më së shumti sjell telashe në komunikacion.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, kërkoi nga ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu të di më shumë se çfarë është duke ndodhur me këtë aks rrugor.

Aliu iu përgjigj se për 3 vjet janë kryer vetëm 30 për qind të punimeve, ndërkaq 30 për qind të tjera janë kryer për 3 muaj.

Sipas këtij ritmi, Aliu ka thënë se kjo rrugë do të mund të përfundojë brenda 3 muajve, raporton Demokracia.com.

“ Kjo kontratë është nënshkruar në vitin 2018 pra për rrugën Prishtinë-Podujevë në kohën kur ka qenë ministër Pal Lekaj. Janë dhanë 15% avans aso kohe kur ka qenë qeveria me ministrin Pal Lekaj. Prej atëherë e deri tash, për tri vjet janë realizu vetëm 30 për qind e punëve. Ka pas probleme të shumta  me projektin me shpronësimet, me nënkalimet me ndërlidhjet me nënkalimet. Nuk ka pas fare tender për urën, pra vetëm për rrugën dhe pa e pas shpalljen e tenderit për urë dhe me marrjen e detyrës që e kemi pas na, u dashtë me u ballafaqu me këto probleme por edhe me i intensifiku punimet. 30 % të tjera janë kryer brenda 3 muajsh, pra nëse është dashtë 3 vjet për me i kryer 30 për qind të punimeve, po du t’ju them se në kohën, vitin e kalum jonë realizuar 30 për qind të tjera. Dhe pjesa e mbetur, finalizimi kryhet në një periudhë shumë më të shpejtë, pra dikund 1 deri në 2 muaj, sapo të fillojë sezona e ndërtimeve e që do të jerë ky muaj, pra muaji prill”, deklaroi Aliu.

Deputeti Tahiri, insistoi përsëri që të di më shumë duke e pyetur ministrin Aliu se : “Zëvendësministri Hysen Durmishi, keni thënë para 6 muajve keni thënë se kryehet, a mundeni me na tregu, kur kryhet dhe çka kryehet për shkak se rrugë Prishtinë Podujevë është bërë rrugë e torturës dhe jo e qarkullimit?”, pyeti ai, raporton Demokracia.com.

Aliu iu përgjigj Tahirit duke thënë se deri më tani është punuar pa projektime si duhet.“Rruga Prishtinë – Podujevë është rrugë e torturës dhe e rreziqeve dhe është një anomali e përgjithshme se as çka ne kemi arritur me pa në ministri ku rrugët as nuk projektohen si duhet, as nuk kryhen shpronësimet si duhet, as nuk mendojnë qysh kanë me u qit me pjesë të tjera por thjeshtë qitet tenderi edhe vazhdojnë kështu. Nuk është vetëm kjo rrugë kështu, ka edhe tjera. Është edhe rruga Prishtinë-Mitrovicë, me situata e probleme të ngjashme. Kjo ka qenë mënyra qysh u punu, tash na duhet me u marrë me këto. Ato çka e kemi premtu e kemi bo, pjesën e lirimit të rrugës, pjesët tjera kemi thënë, ndërlidhjet, eleminimet nga rreziqet e aksidenteve, është dashur të merremi me të pastaj dhe këtë e kemi thënë shumë qartë atëherë, pra kemi me kryer pjesën e shiritave që mos me mbet të hapur”, theksoi Aliu. /Demokracia.com/

Të ngjashme