OpEd
Alfabet
Demokracia
09:25 | 06 Nëntor 2023

Share:

EDISON YPI

A – Sirenë alarmi e ngulur fort me dy këmbë në tokë dhe e përforcuar në mes, që gris qiellin me klithma, britma, ulërima, viktima. Shpikësi i alfabetit, ai që shpiku këtë vegël ortografike ulëritëse kaq të vlefshme për shqiptarët dhe botën ishte arab, por arab kurbetli shqiptar, matjan, dibran, çam, skraparlli, gjirokastrit, etj..

B – Harqet e sipërme dhe të poshtme të femrës pa të cilat shqiptarit dhe meshkujve të botës uji nuk iu pihet, jeta nuk u duhet. I lumtë kavajasit të Irakut për këtë dizajn të paçmuar në shërbim të shkruesve dhe lexuesve të mbarë rrokullisë sonë të mjerë mes universit të pafundmë.

C – Rreth i hapur si gojë, ku po hyre dhe po u mbyll, mbetesh brenda, të copëtojnë dhëmbët, të shtyn poshtë gurmazi, të lëngëzon stomaku, të shtrydh zorra, të 10 bytha. Një përqafim të merituar gjirokastritit të Palestinës për agregatin grafologjik që shpiku.

D – Dizajn mediokër shoqëruar me audio të mbytur, por të domosdoshme që vjen nga shekujt e etjes dhe urisë së gjyshërve. Marokini nga Kukësi punoi si duhet.

E – Kokrrën lozonjare të ullirit që lodron e livadhis mbi pjatë, vjen e bën zap vetëm ky pirun me 3 dhëmbë. Të gradohet major me ceremoni në majë të Tomorit skraparlliu i Jemenit, që punoi me devotshmëri të lartë në shërbim të njerëzimit në zonën operative Çorovodë-Laskovik.

F – Flamur i grisur dhe i ndotur për të mundësuar ndërtimin e shtëpisë pa leje duke dëshmuar patriotizëm të skajshëm përmes valëvitjes së një rrecke kuq e zi mbi çati. Çami nga Xhibuti dëshmoi kreativitet.

G – ‘Google’ kapadai, megaloman, zevzek, që po ta pyesësh të përgjigjet shumë më tepër se të duhet. Ose gomar i urtë e i bindur që po ngeci në baltë mos e nxirr, lere të ngordhi. Mirditori i Mauritanisë nuk gaboi kur shpiku këtë simbol.

H – Tezgë për të vendosur mbi ‘të sa herë të lypset kalamanin e zhvarrosur vdekur në rrethana banale, për t’i bërë sado pak publicitet vetes. Peqinasi somalez diti çfarë bëri në shërbim të perfeksionizmit postum.

i – Pushkë e gjatë dhe plumb i ndezur që sapo ka dalë nga gryka e zezë. Cilësitë shqiptareske si d ashuria, xhelozia, hakmarrja, dënimi i merituar, janë të gjitha aty. Krutani i Libanit e ka myt.

J – Tepër e yndyrshme. Nuk duhet përdorur veçse kur është e paevitueshme. S’kuptohet si i ka punuar mendja lezhjanit arabik që e ideoi dhe ekzekutoi këtë grremç.

K – Komunist, komunizëm, komandant, komisar, katunar, krimb, kërmë. Mos e ngacmo se vjen erë. Labi i arabizuar e ka qa’.

L – Shatë për prashitje. Inspiruese për bujqësinë dhe kurbetlinjtë e penduar që s’duan të rrinë në fund të Botës, por as guxojnë të kthehen në vatrat e braktisura ku balta është më e ëmbël se llokumja. Një urra për Përmetarin patriot nga Aleksandria.

M – I vetmi tingull që shqiptohet me gojë mbyllur dhe pa lëvizur gjuhën që me anë të shembullit personal të fton dhe të këshillon të nxjerrësh sa më pak broçkulla nga goja ehe nga truri. Kolonjari me banim në Egjipt duartrokitjen e ka hak.

N – Motër neutrale jo fort serioze e M-së për raste kur duhet me kujtuar se pa pak hajgare nuk shtyhet jeta. Një dolli me raki Boboshticë për korçarin e Kajros.

O – Diell që ndriçon dhe ngroh botën, inspiron Poetët, motivon shkrimtarët, stimulon mendimtarët. Këtë veç një hoxhë Kavaje me banim në Jordani e bën.

P – Vegla riprodhuese e Femrës që me thellësitë e veta ka frymëzuar dhe do frymëzojë artistët e të gjitha kohëve. I lumtë qejfliut leskoviqar nga Damaskut që e dizenjoi veglën qiellore dhe një falënderim për sjelljen e arapkave në Luginën e Vjosës për të kënaqur epshet e Bejlerëve të zonës.

Q – Fjalë e pisët në publik, por jo në privat. Dibrani tunizan punoi mirë.

R – Ta çon mendjen vrik te Roskoveci i punës, bollëkut, klimës, fushave me serra, kodrave me vreshta dhe ullinj. Shpirt njeriu arabi myzeqar që e shpiku.

S – Asocion gjëra të pakëndshme: Spiun, sapun, sëpatë, surrat, sovjetik, sulltan etj. Për elbasanlliun saudit që e shpiku 1 milionë jeshile janë pak.

T – Tyrielë me dorezën lart. Mjet efikas për t’ua shpuar nja një mijë herë kokën ca shejtanbudallejve që Shqipërinë europiane duan ta paraqesin aziatike. Gjeniun poradecar kurbetli në Jerusalem që e shpiku s’kemi aq flori ta shpërblejmë sa e meriton

U – Patkoi i kalit, Fatit, mbarësisë, qejfit, harkut të fundbotshëm nga kërthiza te kurrizi. Qefli i madh do ketë qënë tunisiani pi Shkodre që e ideoi.

V – Nga Viktoria në fjetore, nga fjetorja në hale, nga halja në shëtitore, nga shëtitorja në pedonale, nga pedonalja në lungomare, laçjani i Aleksandrisë e ka kry më së miri punën e vet.

X – Nuk e di si mund të shpjegohet ky misteriozitet në alfabet. Kush e di le ta thotë. Kontributorët shpërblehen secili me nga një distinktiv llamarine Noc Rrok kapur në xhepin e xhaketës.

Y – Hinkë ortografike që e merr lëngun nga lart të gjërë dhe e pshurr teposhtë të ngushtë. Irakeni nga Puka shpikës i kësaj hinke të paçmuar e meriton medaljen e lartë “Kurbetliu i Kurrkundit” që do ja japi Sulltani i Bahreinit me dorën e vet.

Z – Zukamë, zevzek, zorraxhi, etj. Me këtë tingull onomatopeik, shpikësi në fjalë, mallakastrioti kurbertli në Somali, meriton ovacione të stuhishme dhe ngritje në këmbë për disa minuta.

W – S’ka tingull të vetin ky simbol zuzar. Mirë bëri Shqipja që e shpalli ‘non grata’. Ky bastard meriton vetëm ta thyesh copa-copa ta përdorësh për dru zjarri të ngrohesh në dimër. Dinaku nga Sudani me prejardhje nga Rrogozhina meriton të gjitha lëvdatat që me këtë budallallëk bëri një kryevepër.

Të ngjashme
OpEd • 12 Maj 2025