Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme e mirëpriti afaristin dhe ish-politikanin Ramiz Kelmendi. Ky takim po komentohet gjithandej, me shumë analistë që po e cilësojnë si një tjetër qëndrim të shkelur në mënyrë flagrante nga kryeministri i Kosovës.
Kurti ka avokuar për kohë të gjatë bashkë me partinë e tij që të bojkotoheshin produktet me prejardhje nga Serbia. E Ramiz Kelmendi si një prej importuesve më të mëdhenj të atyre produkteve, nuk mund ta shihte atë avokim si një gjë të mirë.
Për më shumë se dhjetë vjet, VV dhe ETC ishin në tensione me njëra-tjetrën për shkak të shefave të tyre, Albin Kurtit e Ramiz Kelmendit.
Vetëvendosje madje do të organizonte edhe protestë para ETC-së si parti opozitare. Aktivisti Bardh Ahmeti dje u shpreh se Ramiz Kelmendi madje i kishte keqpërdorur punëtorët për të provokuar përleshje fizike mes tyre dhe aktivistëve të VV-së.
Por, edhe më të dhimbshme se përleshjet fizike ishin përleshjet verbale.
Në komunikatën tashmë të fshirë nga faqja zyrtare e VV-së, e të titulluar “Ekonomia e Republikës”, kjo parti e denonconte Hashim Thaçin – kryeministër asokohe – për takimin e Ramiz Kelmendit.
“Të vetmin politikan e deputet të Kuvendit të Kosovës që kryeministri aktual dhe ministri i tij i Zhvillimit Ekonomik e vizituan nga dy herë vitin e kaluar ishte importuesi kryesor i mallrave të Serbisë, deputeti Ramiz Kelmendi, i cili nuk është nga radhët e pozitës.” – thoshte kjo parti politike.
Po ashtu, VV përmendte në kontekst negativ se ETC-ja ishte e katërta për nga qarkullimi vjetor në Kosovë pas PTK-së, KEK-ut dhe Pro Credit Bankës.
Në një komunikatë tjetër të titulluar “Prodhimi vendor ka nevojë për politika fiskale, por jo vetëm për to”, VV thoshte këto fjalë:
“…gjithë ai mall që vjen nga Serbia e që është lehtë i prodhueshëm këtu në Kosovë, është ajo që po e dëmton prodhimin… kuptohet që debatin parlamentar për këtë punë e thirri një prej importuesve kryesorë të produkteve nga Serbia, përmes kompanisë së tij ETC, që përveç tjerash sjell edhe produktet e kompanisë “Bambi” që janë direkt konkurrencë në prodhimet që prodhohen tashmë në Kosovë prej prodhuesit “Liri”.”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – në një nga fjalimet më të famshme në Kuvendin e Kosovës, atë të 19 prillit 2017 – do të fliste kundër biznesmenëve Devolli. Por, aty ai do të përmendte edhe vetë Ramiz Kelmendin.
“E shef do të thotë shef kuzhine apo shef fisi apo shef klani apo shef firme. Përderisa në këtë qeveri e kuvend kemi politikanë që përfaqësojnë kapitalin ekonomik si puna e Ramiz Kelmendit dhe Margarita Kadriut, te Devollët kemi situatën e përmbysur: ata janë biznesmenë që përfaqësojnë kapitalin e pronto politikanëve.” – shprehej kryeministri i Kosovës. Ai fjalim, besohet gjerësisht se ishte i drejtuar kundër Shpend Ahmetit, i cili ishte parë në një jaht të Devollëve para pak ditësh.
Ndërkohë, në një fjalim tjetër para bashkëpartiakëve, Kurti do ta përmendte sërish afaristin Kelmendi.
Ai aty do ta quante Kelmendin si një aleat të Serbisë.
“…Serbia ka gjetur shpesh aleatë te disa politikanë shqiptarë të korruptuar, dhe te disa biznesmenë tregtarë, që udhëhiqen vetëm nga paraja. Politikanët tregtarë si Hashim Thaçi dhe tregtarët politikanë si Ramiz Kelmendi tashmë i kanë normalizuar personalisht marrëdhëniet me Daçiqa e Mishkoviqa, por kurrsesi Kosova dhe populli shqiptar me ta,” – shprehej Kurti.
Për ta takuar Kelmendin dhe disa afaristë tjerë që merreshin me qendra tregtare, Kurti me vete e kishte edhe Besnik Bislimin dhe Hekuran Muratin.