Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, në një intervistë për gazetarët kosovarë, ka njoftuar se Kosova është përjashtuar nga ushtrimi ushtarak “Defender 2023”, si masë ndëshkuese për veprimet e Qeverisë Kurti në veri.
Në lidhje me këtë ende nuk ka folur kryeministri Albin Kurti. Megjithatë, vite më parë, Kurti e kishte bërë një analizë të çuditshme në lidhje me aleancën mes Kosovës dhe ShBA-së. Ai e kishte quajtur këtë aleancë, për të cilën kosovarët janë shumë mirënjohës, si aleancë që “nuk është për të ardhmen”.
Në një intervistë për RTV 21, Kurti në vitin 2016 theksonte se aleanca mes Kosovës dhe ShBA-së nuk është e thellë.
“Aleanca që ka vendi ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e cekët edhe e ngushtë. Është aleancë për të kaluarën, është aleancë për intervenimin e NATO-s që ka ndodhur para 17 vjetësh dhe është aleancë për shpalljen e pavarësisë, që ka ndodhur para 8 vjetëve, dhe është aleancë për njohjet ndërkombëtare. Nuk është aleancë për të ardhmen, nuk është aleancë e thellë, nuk është aleancë e gjerë.”, vlerësonte Kurti vite më parë.
Ndërsa këtu ndërhyri gazetarja, e cila e pyeti se çfarë do të thoshte se aleanca mes Kosovës dhe ShBA-së s’është për të ardhmen e Kosovës.
“Nuk është aleancë për kombëtarizimin e shtetit, por për ndërkombëtarizimin e shtetit, thuajse jemi në vitet 90-ta. Kosova ka nevojë për konsilidim të brendshëm e jo vetëm për pranime nga jashtë” – shtoi Kurti./Nacionale/