Lajme
Albulena Haxhiu manipulon me njoftimin e Gjykatës së Apelit për rastin e noterëve, e fsheh dështimin e saj
Demokracia
19:48 | 13 Shkurt 2023

Share:

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka provuar sot t’u hedh hi syve qytetarëve të Kosovës, duke manipuluar me një vendim të Gjykatës së Apelit.

Një rast të cilin ajo e ka humbur në Gjykatën Themelore,  po provon ta paraqesë si punë dhe përkushtim të vetin për përzgjedhjen e noterëve, shkruan Demokracia.com.

Haxhiu sot ka shpërndarë një ‘screenshot’ të njoftimit të Gjykatë së Apelit, por e ka fshehur një fakt shumë të rëndësishëm.

“Më në fund, pas gati 3 vitesh, përmbyllet procesi gjyqësor për Provimin e Noterisë çka i hapë rrugë shpalljes së konkursit për noterë. Dua të njoftoj qytetarët se brenda një kohe të shkurtër do të themelojmë Komisionin përgjegjës dhe do të shpallim konkursin për noterë. Procesi do të jetë transparent e profesional dhe se nuk do të përsëriten situatat e ndërhyrjes në proces e nuk do të përdoren metodat e përzgjedhjes së personave mbi baza familjare, partiake apo biznesore siç pati ndodhur me konkursin e kaluar.”, ka shkruar Haxhiu.

Ministrja Haxhiu duket se qëllimisht e ka prerë njoftimin e Gjykatës së Apelit, pikërisht pjesën ku thuhet se ajo e kishte humbur rastin në Gjykatën Themelore në Prishtinë e cila vitin e kaluar pati  hedhur poshtë vendimin e ministres Haxhiu, në lidhje me rastin e noterëve,  me të cilin ishte anuluar konkursi për noterë. Gjykata në atë kohë kishte aprovuar padinë e 44 kandidatëve për noterë të ushtruar ndaj këtij vendimi, shkruan Demokracia.com.

Gjykata e  Apelit i ka refuzuar vetëm ankesat e paditësve F.D., V.D., V.H., M.K., Q.S., G.P., B.B. dhe G.G., në procedurën e konfliktit administrativ ndaj Ministrisë së Drejtësisë. Objekt shqyrtimi në këtë procedurë ka qenë shqyrtimi i ankesës vetëm lidhur me propozimin e paditësve të lartpërmendur për dhënien e aktgjykimit plotësues, përmes të cilit propozim paditësit kanë kërkuar që të detyrohet e paditura, të vazhdojë me procesin e emërimit të kandidatëve për noterë.

“Gjykata e Apelit – Departamenti për Çështje Administrative, me aktvendimin AA.nr.744/2022, të datës 9 shkurt 2023, i ka refuzuar ankesat e paditësve F.D., V.D., V.H., M.K., Q.S., G.P., B.B., G.G., ndërsa i ka vërtetuar aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative A.nr.529/2020, të datës 24 dhe 28 qershor 2022, me të cilat është refuzuar si i pabazuar propozimi i paditësve për dhënien e aktgjykimit plotësues. Objekt shqyrtimi në këtë procedurë ka qenë shqyrtimi i ankesës vetëm lidhur me propozimin e paditësve të lartpërmendur për dhënien e aktgjykimit plotësues, përmes të cilit propozim paditësit kanë kërkuar që të detyrohet e paditura, të vazhdojë me procesin e emërimit të kandidatëve për noter”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Ndërsa kjo është pjesa e njoftimit të cilën ministrja Haxhiu e ka prerë dhe ka dashur ta fshehë, shkruan Demokracia.com.

“Përndryshe duhet sqaruar se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, si gjykatë e shkallës së parë, me aktgjykimin e saj A.nr.529/2020, të datës 1 shkurt 2022, e kishte aprovuar në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e paditësve Q.S., etj. dhe e kishte anuluar vendimin e të paditurës – Ministria e Drejtësisë, nr.15/2020, nr. prot. 01-173, të datës 24 shkurt 2020, si të kundërligjshëm, njëherit duke vërtetuar se procesi i provimit për noterinë i shpallur me datën 19 prill 2019, nga e paditura Ministria e Drejtësisë, është i ligjshëm dhe i drejtë”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë vendimin e ministres aktuale të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në lidhje me rastin e noterëve. Departamenti për Çështje Administrative i kësaj , ka anuluar vendimin e Ministrisë së Drejtësisë (MD), me të cilin ishte anuluar konkursi për noterë.

Kjo pasi që Gjykata ka aprovuar padinë e 44 kandidatëve për noterë të ushtruar ndaj këtij vendimi, shkruan Demokracia.com.

Noterët ishin emëruar në periudhën sa ministria e Drejtësisë udhëhiqej nga Abelard Tahiri, ndërkaq, duke synuar se ky proces ka pasur parregullsi, kishte ngritur padi Ministria e Drejtësisë aktuale me në krye Albulena Haxhiun.

Por, Gjykata ka vërtetuar provimin e noterisë me arsyetimin se nuk ka gjetur prova se e paditura, qoftë në procedurë administrative ose edhe para gjykatës ka vërtetuar se Komisioni për Dhënien e Provimit për Noterinë ka cenuar parimin e ligjshmërisë.

“Kjo për faktin se me asnjë provë nuk është vërtetuar se ky komision ka tejkaluar kufijtë e përcaktuar me ligjin, nuk është vërtetuar se me zgjedhjen e këtij komisioni nuk është arritur qëllimi sipas ligjit dhe në përputhje me parimin e proporcionalitetit dhe se zgjedhja e tij nuk është vërtetuar se ka qenë në kundërshtim më normat e gjithë pranuara të shkencës apo teknikës dhe nuk ka shkelur parimet themelore të drejtësisë apo arsyes njerëzore”, thuhej në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Madje, sipas vendimit të Gjykatës, thuhet se nga vendimi i kontestuar me padi dhe në kuptim të dispozitave të lartcekura, del se janë cenuar të drejtat ligjore të paditësve.

“E paditura ka dështuar të provojë faktin se veprimi administrativ me aktin administrativ të kontestuar me padi, siç përcaktohet në dispozitat e lartcekura, ka qenë i domosdoshëm dhe i përshtatshëm për të arritur qëllimin e përcaktuar ne ligj”, thuhet në këtë aktgjykim.

Tutje, sipas këtij aktgjykimi e paditura në vendimin kontestues ka theksuar se Komisioni ka bërë shkelje flagrante të parimeve të përcaktuara në Udhëzimin Administrativ, për mënyrën e dhënies dhe programin e provimit të noterisë, pasi që nga ky proces ka rezultuar që shumica e kandidatëve të cilët e kanë dhënë provimin me shkrim dhe me gojë kanë qenë familjarë të Komisionit, zyrtarë të partive në pushtet apo familjarë të partive në pushtet si dhe familjarë të ngushtë të zyrtarëve që punojnë në sistemin e drejtësisë.

“Një konstatim i tillë i përgjithësuar dhe i paprovuar, për gjykatën konsiderohet i papranueshëm, për faktin se ky konstatim nuk është vërtetuar me ndonjë provë e cila do ta plotësonte këtë arsyetim”, thuhet në aktgjykim. /Demokracia.com/

DOKUMENT| Gjykata hedh poshtë vendimin e Albulena Haxhiut për noterët, cilësohet i kundërligjshëm

Të ngjashme