Kur në Kuvendin e Kosovës po diskutohej projektligji për lejimin e tërheqjes së një pjese të mjeteve nga Trusti, Albin Kurti doli kundër duke thënë se edhe nëse kjo është kërkesë nga populli, nuk duhet të plotësohet, pasi që sipas tij populli nuk është ekspert. Pra, populli nuk mund të japë mendime profesionale për çështje të tilla ekonomike, pasi kjo i takonte vetëm ekspertëve të fushës.
Por, ndryshe nga Kurti që mbështeste idenë se për çështje të ndjeshme profesionale nuk mund të pyetet populli, sepse nuk ka ekspertizën e duhur, po mendon ministrja e tij, Albulena Haxhiu, shkruan Demokracia.com.
Kjo e fundit e ka pyetur një institucion ekspertësh për Ligjin për Themelimin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë. Komisioni i Venecias i ka dhënë një mal me vërejtje këtij projektligji, pasi që po vlerësohet se shkelë të drejtat e njeriut.
Por, Albulena Haxhiu, ka vendosur të mos i dëgjojë ekspertët e Komisionit të Venecias, por të shërbehet me sondazhe online, të cilat nuk mund të garantojë askush se nuk mund të manipulohen. Pikërisht për metodën e Vetëvendosjes për manipulimin e sondazheve që ofrohen online nëpërmjet rrjeteve sociale ka treguar ish-deputeti i LVV-së, Florin Krasniqi, i cili ka zbuluar se në këtë parti ka zyrë të veçantë të pajisur me kompjuterë, ku bëhen manipulimet në rrjete sociale dhe sulmet apo linçimet ndaj njerëzve të ndryshëm që mendojnë ndryshe nga kjo parti.
Haxhiu, ndryshe nga Kurti që deklarohej se populli nuk është ekspert, andaj nuk duhej të pyetej për Trustin, ka shpërndarë një sondazh që nuk ka kurrfarë garancie se është i saktë, por që ajo e prezanton si një qëndrim të popullit. /Demokracia.com/