Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se beson që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë janë të pafajshëm në akuzat që iu kundërvihen.
Duke folur në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini, Haxhiu foli edhe për vizitën që e ka zhvilluar në Hagë, ditë më parë.
“Ne kemi takuar kryetaren e Gjykatës. Ia kemi bërë të ditur të gjitha gjetjet që i kemi gjetur. Gjykata Speciale nuk ka një organ që i monitoron punën e tyre. Kjo do duhej të ishte debati para nisjes së seancave të zotëri Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi. Ka dyshime që po shkelën të drejtat e tyre. Natyrisht, kjo do të duhej të ishte debati”, shtoi ajo.
Ndërkaq në pyetjen se a do të ketë arrestime të tjera të Gjykatës Speciale, Haxhiu tha se nuk mund të flasë për këtë.
“Unë nuk mund të flas për këtë. Uroj që të më mirëkuptoni. S’mund të jap informacione lidhur me këtë. Nuk ka pasur raste për aq sa jam në dijeni”, deklaroi ministrja Haxhiu.