Lajme
“Albini atraktiv por marksist, Glauku simpatik”: Qysh i përshkroi Rama Kurtin dhe Konjufcën në “Rubikon”?
Demokracia
09:48 | 07 Korrik 2023

Share:

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, dje ka qëndruar në Kosovë, ku ka takuar presidenten kosovare Vjosa Osmani dhe kryekuvendarin Glauk Konjufca. Pasi i kreu takimet (minus takimin e munguar me Albin Kurtin), Rama doli në Rubikon të Klan Kosovës. Përtej qëndrimeve politike, të cilat i shprehu gjerë e gjatë, Rama i komentoi në mënyrë interesante dy figurat më të rëndësishme të VV-së, pra z. Kurtin dhe z. Konjufcën. Çka tha Rama?

Në fillim, z. Rama e komentoi refuzimin e Kurtit për t’u takuar, të cilin injorim e quajti të habitshëm dhe absurd, duke shtuar se Kosova duhet të dalë nga kjo ngecje.

“Është shumë e habitshme se kjo mundësi vështirësohet në komunikimin këtu në Kosovë, ndërkohë që Kosova ashtu si vendet e tjera e mbase edhe më shumë se nvednet e tjera, sot më shumë se kurrë ka nevojë të delë nga kjo impasse.” – theksoi Rama.

Në intervistën e tij, kryeministri i Shqipërisë e bëri të qartë se ai nuk ka ndonjë problem personal me Kurtin, pasi kundërshtitë mes tyre janë politike. Ndërsa personalisht, tregoi Rama, Kurtin e konsideron atraktiv, ndonëse “është shumë marksist”.

“Nuk ka një gjë personale midis meje dhe Albinit, sikur kjo është një gjë që lidhet me personin. Nuk ka lidhje fare me personin, me personin Albin Kurti, jo që unë nuk kam asnjë problem, por përkundrazi, e konsideroj një njëri atraktiv dhe një njëri me të cilin mund të bëj biseda pa fund, pavarësisht që mund të mos jemi dakord për shumë gjëra, sepse ai është shumë marksist për mua” – deklaroi z. Rama në Rubikon.

Rama shkoi edhe një hap tutje, duke rrëfyer edhe ca detaje të tjera në lidhje me raportet e tij me Kurtin. Kryeministri shqiptar tregoi se me Kurtin debaton në Whatsapp, ndonëse ky i fundit nuk kthen shpesh përgjigje.

“Debatet me Albinin i zhvilloj në Whatsapp, unë flas, ai dëgjon por nuk flet. Rrallë përgjigjet. Nuk ka rëndësi është mënyrë komunikimi, ose përsërit të njëjtën përgjgije vazhdimisht, për ta përforcuar mesazhin.” – ka thënë ai.

Në një moment, Rama e bëri një metaforë interesante në lidhje me Kurtin.

“As në rininë time nuk i kam shkuar mbrapa një Xhuliete indiferente me aq shumë kërkesa, sa përsonalisht i kam bërë Albinit për këtë takim, dhe për takimin e mëparshëm që ishte shumë i rëndësishëm, që unë doja të jepja në atë moment. Por për këtë takim, që është pjesë e një procesi ku Kosova është aty”, ka thënë Edi Rama.

Nga ajo që tha publikisht, Konjufca i duket djalë simpatik Ramës. Madje, Rama e bëri të qartë që ky epitet nuk ka konotacion pezhorativ, por është i menduar si një lëvdatë.

“Kam ardhur këtu për një proces që të gjithë duan të marrin pjesë. Kam folur me Presidenten, por ajo është Presidente. Kryetarin e Kuvendit gjithashtu, është djalë simpatik, por ai s’ka lidhje fare me këto tëma.” – theksoi ai.

Por Rama ishte më i ashpër me z. Konjufcën, pasi ky i fundit deklaroi se drafti i Asociacionit, që e hartoi Rama, përmban autonomi territoriale për serbët”.

“Pashë, më treguan që Glauku kishte thënë se ka autonomi… nuk e di për çka e ka fjalën, sepse ne nuk folëm fare për draft të Asociacionit. Në dokumentin që ata se kanë lexuar! Këta s’e kanë lexuar! Ku e dinë këta? Apo më shohin mua në portret dhe më lexojnë si në filxhan? Drafti që unë kam përgatitur, është përgatitur nga ekspertë të nivelit më të lartë, dhe unë ia kam dërguar tre personave: kancelarit Scholz, presidentit Macron dhe presidentit Michel”, deklaroi Rama./nacionale/

Të ngjashme
Lajme • 17 Maj 2024