Lajme
“Albin Zajednica”
Demokracia
23:18 | 23 Mars 2023

Share:

Kryeministri Albin Kurti është i dhënë pas idesë që edhe ai të gjejë pak vend në historinë e Kosovës. Por, siç duket  e ka të vështirë një gjë të tillë. 

Albin Kurti nuk po arrin ta bëjë historinë duke realizuar ato që i kishte premtuar prej shumë vitesh. Nga një njeri që premtonte Bashkimin Kombëtar, Albin Kurti po përfundon në një politikan që nuk do të mbahet mend për asnjë vepër madhore kombëtare. Në fakt, Albin Kurti duket se ia ka lënë vetes emrin më të padëshiruar prej tij: “Albin Zajednica”.

Ky emër i rëndë, mund t’i bëhet vulë e dështimit të tij politik.

Njeriu që si opozitar fliste vazhdimisht për kombin shqiptar, nuk ngurronte asnjëherë që Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe ta quante në serbisht “Zajednicë”, për të treguar se sa e keqe ishte, shkruan Demokracia.com.

Por, çuditërisht, kur Kurti u bë kryeministër dhe të gjithë prisnin që ai ta varroste përnjëmend Zajednicën, ai e bëri të kundërtën dhe me të gjithë fuqinë e tij.

Sot, Albin Kurti po e mbron fuqishëm idenë që komunat me shumicë serbe të organizohen në një Asociacion.

Duket ironike, kundërshtari më i madh i Zajednicës, është shndërruar në mbrojtësin më të madh të saj.

Sot, Albin Zajednica është një emër që e gjeni të shkruar gjithandej nëpër Kosovë. Njeriu i dhënë pas shkrimit të sloganeve nëpër qytete të Kosovës, papritmas e gjen vetën në muret e çdo qyteti të Kosovës. Dikur Albin Kurti e shkruante parullën “Jo Negociata, Vetëvendosje”, sot të tjerët po bëjnë të njëjtën gjë duke shkruar “Albin Zajednica”, për njeriun që nuk i tha asnjëherë jo negociatave me Serbinë sapo u bë kryeministër.

Kurti në seancën e sotme të Kuvendit, ku po raporton për dialogun me Serbinë dhe takimin e Ohrit, ka pranuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe ekziston në marrëveshjen e dakorduar më 18 mars.

Kurti tha se aleatët ndërkombëtarë ia kanë bërë të qartë se detyrimet ndërkombëtare që janë arritur në emër të shtetit tonë nuk ndryshojnë, edhe kur qeveritë ndryshojnë.

“Nëse duam të trajtohemi si shtet dhe të njihemi si i tillë nuk mund t’i shmangë detyrimet nga traktatet ndërkombëtare që ne i kemi. Ato detyrime nga e kaluara janë edhe të përfshira implicit në procesin e dialogut sepse janë ngritur gjatë bisedimeve dhe çdo gjë ne do ta trajtojmë nga çështja e Kushtetutës sonë. Çdo gjë që ne bëjmë në këtë drejtim është standard tashmë i pranuar nga çdo demokraci evropiane. Unë nuk e kam ndërmend të kritikoj gjërë e gjatë për marrëveshjen e para 10 apo 8 vjetëve, për këto vendime të kaluara që janë aty në arkivat e Brukselit…Por, aleatët tanë na kujtojnë se marrëveshjet janë arritur në emër të shteteve tona me detyrime edhe kur qeveritë ndryshojnë”, u shpreh Kurti ndër të tjera.

Kryeministri tha se do të kundërshtojnë çdo synim për etno-nacionalizëm territorial. Ai përsëriti se nuk do të pranojnë asnjë model të autonomisë territoriale.

“Tani kemi një dokument të ri në dorë dhe duhet ta shfrytëzojmë sa më mirë. Me dokumentet e mëhershme kemi ngecur. Me këtë dokument mund të ecim. Është e rëndësishme të theksojmë se çfarëdo mundësie diskriminuese mund ta ndalojmë. Duhet të shmangim çfarëdo reference të problemeve që janë shfaqur në Bosnjë. Ajo për të cilën kemi rënë dakord është një trup ligjore. Nga shembujt evropianë Ne e kundërshtojmë me vendosmëri dhe forcë entonacionalizimin territorial. Nuk e duron republika demokratike dhe është në kundërshtim me vlerat dhe bindjet qeverisjes tonë demokratike. Siç kërkohet tani do të fillojmë në proces të gjatë konsultimesh, ku e përsëris kurrë që do të thotë asnjëherë askund nuk do ta konsideroj asnjë model të autonomisë territoriale. Megjithëse ato marrëveshjet e mëhershme janë mbështetur shumë në territoratitelin si element qenësor. Territorialiteti ka qenë thelbi i gabuar që nuk lejojmë ta lejojmë e as përsërisim. Tash duhet të kalojmë nga standardet e Daçiqit e Vuçiqit të vitit 2013 dhe 2015 në ato të Këshillit të Evropës e sistemit demokratik të BE-së të bazuar në qytetarin. Ne kemi marrë përsipër të formalizojmë statusin e kishës ortodokse serbe dhe të ofrojmë një nivel të lartë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare e kulturore në përputhje me modelet ekzistuese e evropiane. Unë nuk kam arsye që ta shmangë dialogun me krerët e kishës ortodokse serbe. Nuk do të hyjmë në diskutim me krerët e republikës së Serbisë për këtë çështje. Unë e ftoj udhëheqjen e kishës ortodokse serbe, që të angazhohet me ne me një qëllim të mirë e me mirëbesim që të diskutohet marrëveshja”, u shpreh Kurti në seancën e Kuvendit.

Prandaj, “Albin Zajednica” është emri që Albin Kurti ia la vetes si dëshmi e një mashtrimi dhe gënjeshtre të madhe që i kushtoi shumë një shteti të vogël dhe të sapoformuar, Republikës së
Kosovës. /Demokracia.com/

Të ngjashme