Lajme
Albin Kurti shkel edhe një premtim, AKP-ja që do të duhej të shuhej nxjerr në shitje asetet shtetërore
Demokracia
18:30 | 25 Maj 2022

Share:

Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit i emëruar nga qeveria e Albin Kurtit sot ka shpallur shitjen e re të aseteve përmes likuidimit, pavarësisht se Qeveria më datën 9 shkurt të këtij viti në mbledhjen e saj kishte udhëzuar AKP-në të mos vendos në shitje asete që janë të identifikuara si potenciale për t’u transferuar në Fondin Sovran, para miratimit të politikës së Qeverisë lidhur me themelimin e Fondit Sovran, shkruan Demokracia.com.

“Në vazhdim është miratuar vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr.07/09 i datës 01.07.2020, sipas të cilit pikat 2, 3 dhe 4 të Vendimit Nr.07/09 të datës 01.07.2020 shfuqizohen, ndërsa shtohet pika 2 sipas të cilës: “Udhëzohet AKP të mos vendos në shitje asete që janë të identifikuara si potenciale për t’u transferuar në Fondin Sovran, para miratimit të politikës së Qeverisë lidhur me themelimin e Fondit Sovran” dhe shtohet pika 3: “Asetet mund të ofrohen për qiradhënie të rregullt, deri në miratimin e politikës së Qeverisë lidhur me themelimin e Fondit Sovran”, thuhej në njoftimin e Qeverisë.

Mirëpo sot, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) zyrtarisht ka shpallur shitjen e aseteve përmes likuidimit nr.55.

“Lista e tenderëve për privatizim me këtë valë të shitjeve përmban 52 asete/njësi atraktive të ndërmarrjeve shoqërore në Republikën e Kosovës, të cilat paraqesin një mundësi të shkëlqyer për zgjerim të biznesit apo iniciativa të reja biznesore në vendin tonë. Kjo valë e shitjeve me të gjitha asetet e tenderuara është aprovuar në Bordin e Drejtorëve, kurse AKP i ka njoftuar paraprakisht të gjitha Komunat përkatëse se këto asete të ndërmarrjeve shoqërore do të privatizohen dhe ka shpallur njoftimin për tender në faqen e saj të internetit www.pak-ks.org dhe në mediat e shkruara dhe ato elektronike”, ka njoftuar AKP-ja.

Në planin qeverisës të ekzekutivit kosovar thuhet se pasuria e Kosovës do të mbrohet përmes krijimit të Fondit Sovran, i cili do t’i marrë në pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, për të mundësuar investime nga jashtë dhe qasje në tregje të huaja të kapitalit.

Nuk është ende e qartë se cilat asete do të kalojnë nën Fondin Sovran.

Në planin qeverisës, po ashtu, është paraparë që AKP-ja të shuhet dhe të transferohet në agjenci brenda Qeverisë, si dhe të krijohet një agjenci për udhëheqjen e politikave zhvillimore ndërmjet ministrive dhe agjencive të pavarura. Mirëpo, edhe ky premtim i Kurtit po shkelet, pasi që AKP-ja po vazhdon të funksionojë.

Procesi i privatizimit në Kosovë ka nisur në vitin 2003, fillimisht nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM), kurse nga viti 2008 është pasuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Në Kosovë, nga 3,951 asete të identifikuara, deri më tani janë privatizuar 2,065, ndërsa të paprivatizuara kanë mbetur edhe 1,886. Këto prona, në 116 valë të privatizimit, janë shitur në vlerë prej rreth 760 milionë eurosh.

Gjatë këtij procesi janë shitur ndërmarrje, lokale, toka bujqësore, industriale dhe ndërtimore.

Ndërmarrjet shoqërore në Kosovë janë shitur përmes metodës së quajtur spin-off i rregullt, që lejon ndryshimin e destinimit të ndërmarrjes. Kurse, ndërmarrjet që janë konsideruar të mëdha, janë privatizuar me metodën spin-off special, që nuk lejon ndërrimin e destinimit të ndërmarrjes./Demokracia.com/

Të ngjashme