Lajme
Albin Kurti rrezikon sigurinë kombëtare, i hakmerret Heronjve të Banjskës dhe luftën kundër terrorizmit ia beson një njësie të patrajnuar
Demokracia
22:07 | 10 Janar 2024

Share:

Njësia Speciale Intervenuese e Policisë së Kosovës (NJSI) e njohur edhe si FIT, që kryen operacione të sigurisë kur Republika e Kosovës është përballë me rreziqe të mëdha, siç ndodhi më 24 shtator në Banjskë, ka qenë njësiti më i përfolur në muajt e fundit. Suksesi që arritën në operacionin ku e luftuan grupin terrorist të Milan Radoiçiqit falë profesionalizmit dhe shkathtësive superiore për t’iu dalë ballë misioneve të tilla me rrezikshmëri të lartë bëri që FIT të ishte kryefjala e sigurisë në Kosovë.

Aksionet e NJSI-së që nga 2007-ta kur u themelua dhe përgjatë këtyre viteve, duke përfshirë operacionin e Banjskës, që konsiderohet të jetë më i madhi shënojnë një sukses të pjesëtarëve të kësaj njësie.

Të përfolur kaq shumë, pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese janë parë shumë pak në publik, deri më 1 nëntor, kur bashkë me Njësinë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive vendosën të protestojnë para Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar rishikimin e kategorizimit të pagesës për rrezikshmërinë në punë, shkruan Sinjali.

Kërkesat e tyre ishin kategorizimi si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve, rrezikshmëria të përcaktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe të ketë shtesa për kushte specifike të punës.

Të maskuar dhe me uniforma, FIT kërkoi që të “mos luhet me dinjitetin” e tyre dhe me, siç thanë, “ndjenjat e familjeve” të tyre.

Por, siç pritej, një gjë e tillë në një formë apo në një tjetër veçse ndodhi.

Fillimisht ishte deklarata e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili tha se pjesëtarët e dy njësive speciale të Policisë së Kosovës, që protestuan kanë pasur të ardhura mujore deri në 2.200 euro, gjë që nuk është e vërtetë.

Me të njëjtin diskurs, ishte edhe reagimi i shefit të tij, kryeministrit Albin Kurti, i cili më 1 nëntor tha se secili pjesëtar i NJSI-së ka pajisje në vlerë prej afër 10 mijë euro dhe vitin e kaluar të ardhurat mesatare të shumicës së tyre kanë shkuar mbi 2,200 euro.

Këto deklarata ngjallën reagime të ashpra në publik dhe nga partitë opozitare, por këmbngulja e Qeverisë vazhdoi. Pavarësisht kërkesave e protestave, propozimi i Kurtit kaloi në Qeveri e nuk ndryshuan as kategorizimin e as vlera e shtesës, raporton Sinjali.

Nënvlerësimi i Kurtit dhe Sveçlës ndaj njësisë më elitare të Policisë së Kosovës

Kryeministri Kurti së bashku me ministrin Xhelal Sveçla para dy javësh mbajtën një konferencë të përbashkët për media lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, ku mbeti i vdekur rreshteri Afrim Bunjaku.

Heronjtë e Banjskës, me të cilët Qeveria krenohej pas suksesit që arritën në përballjen me grupin terrorist mëngjesin e 24 shtatorit, nuk u përmendën fare. Kreu i Qeverisë bashkë me ministrin e tij dolën në konferencë për sigurinë në vend dhe të dhënat shqetësuese të këtij sulmi, por u kujdesën që njësinë kryesore të asaj dite, Njësinë Speciale Intervenuese të mos e përmendin fare.

Kërkesat dhe qëndrimet e FIT-it nuk i konvenuan Qeverisë dhe siç duket vendosën që t’i fshijnë faktet për ta, duke mos iu referuar për asnjë moment të vetëm.

Në shpjegimet e kronologjisë së sulmit terrorist, në këtë konferencë u përmendën Njësia  e  Reagimit të Shpejtë dhe Njësia Speciale Operative, por jo edhe NJSI që ishte pikërisht njësia që e luftoi grupin e Radoiçiqit dhe neutralizoi terroristët.

Atëherë kur duhej të flitej për ta, Sveçla thoshte “njësi të tjera speciale”, ashtu siç ishin kujdesur që të merreshin me këtë detaj edhe në tabelën që u shfaq për afatin kohor të asaj që kishte ndodhur atë ditë.

Madje, siç merr vesh Sinjali, në takimin e 15 nëntorit që Kurti ka pasur me pjesëtarët e NJSI-së, i ka ofenduar ata, duke thënë se ajo çfarë kanë bërë me 24 shtator kur u përballën me terroristët s’përbën sukses të madh, meqë thjesht “i keni vrarë tre veta nga distanca me snajper”.

Penalizimi i NJSI-së dhe zhveshja e kompetencave

Nënçmimi ndaj kësaj njësie ka shkuar më tej, me zhveshje kompetencash, pas krijimit të Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejt (NJNSH), pa trajnime përkatëse për t’u marrë ndër të tjera edhe me terrorizëm, si ndëshkim ndaj FIT-it.

NJNSH parashihet të reagojë kur ka rrezik në rastet e mbrojtjes së integritetit territorial, terrorizmit dhe veprat e tjera të rënda – edhe pse pjesëtarët e saj nuk janë të trajnuar e as të specializuar për t’u përballur me situata kur cenohet siguria kombëtare dhe jo vetëm.

Shteti kështu ka vendosur t’i penalizojë pjesëtarët e FIT-it, të cilët kanë zhvilluar dhe vazhdojnë të kenë trajnime ekstreme dhe janë të përgatitur për misione me rrezikshmëri të lartë – që siç duket nuk po ua mbushin syrin Qeverisë.

Kujtojmë se një tjetër operacion i FIT-it kohëve të fundit është edhe ai i arrestimeve dhe kontrolleve në veri, pas sulmit në Banjskë. Ai që bëri bujë më të madhe ishte arrestimi i Millun Millenkoviq, i njohur si “Llune”.

Njësiti FIT kishte marrë pjesë edhe në arrestimin e ish-shefit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq në vitin 2018, kur atij i ishte ndaluar hyrja në Kosovë e që nuk e kishte përfillur.

Të ngjashme