Lajme
Albin Kurti që fliste vazhdimisht për varfërinë, shkon sërish në bregdetin superluksoz grek të oligarkëve
Demokracia
17:44 | 17 Korrik 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po merr pjesë në edicionin e 25 të Simpoziumit Symi, i cili këtë vit po mbahet në Rethymnon të Kretës, një nga qytetet më luksoze të Greqisë.

Njeriu që deri në ditën kur erdhi në pushtet s’linte rast pa folur për varfërinë dhe shtirej sikur bënë jetë modeste, pas ardhjes në pushtet nisi t’i shijojë me të madhe xhipat e zinj, shoqërinë e shumë trupërojeve dhe hotelet e qytetet luksoze.

Rethymnon me rrugicat shumëngjyrëshe, porti venecian, hotelet e bukura dhe një gamë e gjerë restorantesh, ka mbledhur majtistët e Evropës që nga 16 korriku. Ata do të qëndrojnë aty deri më 20 korrik, shkruan Demokracia.com.

Për të qenë bashkë me ta, Kurti ka refuzuar edhe ftesën e kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili ka mbledhur në Tiranë liderët e Ballkanit Perëndimor.

Rethymnon është një zonë shumë interesante e Kretës, të cilin shumë faqe që merren me turizmin e rekomandojnë si një ndër vendet që duhet të vizitohet patjetër.

Fshatrat tradicionale, plazhet e virgjëra, gjelbërimi i harlisur, peizazhet ekzotike dhe vendet historike janë vetëm disa nga ato që mund të shihni rreth Rethymnon.

Këto janë disa pamje nga qyteti ku po qëndron kryeministri Kurti:

 

Simpoziumi Ndërkombëtar SYMI është themeluar nga ish-kryeministri i Greqisë, George Papandreou dhe organizohet çdo vit.

Edicioni i sivjetëm titullohet “Cila botë në vitin 2030? Trajtimi i Sindromës Icarus” (Which World in 2030? Addressing the Icarus Syndrome).

Kjo është hera e gjashtë që kryeministri Kurti është pjesëmarrës në këtë organizim.

Simpoziumi Symi është një mbledhje që mbahet një herë në vit, me mendimtarë globalë që ndjekin traditën e filozofëve antikë grekë. Symi mbledh së bashku individë me mendime të ndryshme, prejardhje të ndryshme, intelektualë, politikanë, laureatë të Nobelit, sipërmarrës, diplomatë, shkencëtarë dhe aktivistë për të diskutuar disa nga çështjet më të ngutshme të kohës sonë. Ky simpozium u mbajt për herë të parë në 1998, në ishullin Symi, i cili që atëherë i ka dhënë emrin simpoziumit. /Demokracia.com/

Të ngjashme