Gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, Albin Kurti, nuk ka dhënë asnjë cent si donacion apo si kontribut në të holla për ta mbështetur partinë që e drejton, Lëvizjen Vetëvendosje.
Nga 188 donatorë që figurojnë në listën e kësaj partie, ka emra të njohur e të panjohur individësh dhe biznesesh, që kanë dhënë donacione në shuma të ndryshme, duke filluar nga 50 euro deri në 5 000 euro, por aty nuk gjendet emri i Kurtit.
Kurti, përveç pagës si kryeministër, që kap vlerën e 1 305 euro neto, ai paguhet edhe nga Lëvizja Vetëvendosje si kryetar i saj. Sipas deklarimit të pasurisë së tij, gjatë tre muajve të parë të vitit 2021 (janar, shkurt, mars), Kurti ka marrë 4 200 euro neto nga Vetëvendosje, pra 1 400 euro për muaj, raporton Demokracia.com.
Në listën e donatorëve figuron deputeti më i vjetër i Vetëvendosjes, Avni Dehari, i cili ka dhënë donacion për partinë e tij në dy raste me nga 250 euro, në shtator dhe nëntor të vitit 2021.
Njëjtë si Dehari ka vepruar edhe Glauk Konjufca, i cili ka dhënë donacion në vlerën 500 euro. Edhe Gani Krasniqi, Jahja Kokaj, Hydajet Hyseni, Armend Muja, Fitore Pacolli, janë emra të njohur nga kjo parti që figurojnë si donatorë gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar.
Të dhënat për raportet e shpenzimeve të subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore janë publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Demokracia.com do të sjellë në vazhdim detaje tjera nga raportet e publikuara edhe për partitë tjera politike.
Në mbledhjen e 7, KQZ-ja ka marrë vendim për publikimin e dosjes së informimit publik për subjektet politike dhe kandidatët e zgjedhur që u takojnë Zgjedhjeve Lokale 2021.
Kjo dosje përmban regjistrimin e donatorëve të secilit subjekt politik, raportet e publikimit financiar të fushatës zgjedhore të subjekteve politike të dorëzuara në KQZ dhe formularët e publikimit financiar për kandidatët e zgjedhur.
Meqenëse këto të dhëna nuk janë audituar deri më tani, publikimi i tyre shoqërohet me tekstin “Raportet financiare të fushatës janë të paaudituara dhe mund të pësojnë ndryshime dhe saktësime gjatë procesit të auditimit”, thuhet në njoftimin e KQZ-së. /Demokracia.com/