Lajme
Albin Kurti nuk arrin ta mposhtë Rrahman Jasharajn e SBASHK-ut
Demokracia
18:40 | 02 Prill 2022

Share:

Rrahman Jasharaj është zgjidhur për herë të tretë me radhë në krye të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës së Kosovës (SBASHK). Edhe pse kryeministri Albin Kurti kishte ‘kërcënuar’ sindikatat, duke nisur nga SBASHK-u, për ndryshime njësoj siç ka ndodhur në politikë, megjithatë Jasharaj po del fitues.

Në një konferencë për media vitin e kaluar, kryeministri Kurti kur u pyet për grevat që ishin duke u mbajtur nga Sindikata e Shëndetësisë dhe disa sindikata të tjera sa i përket Ligjit për Paga, pati thënë se duhej ndryshime edhe tek Sindikatat siç kishte ndodhur me politikën. Kjo deklaratë e Kurtit dhe të ngjashme nga njerëzit e tij, u panë si kërcënim i hapur ndaj sindikatave dhe tentim ndërhyrje të pushtetit në këtë sektor.

Kurti u shpreh se sikurse në skenën politike në Kosovë që ka nevojë për ndryshime, ato duhet edhe në shumë sektor të tjerë. Gjendjen e keqe në arsim e në shëndetësi, Kurti i bëri fajtor edhe sindikatat.

“Sikurse në skenën politike në Kosovë që ka pasur nevojë për ndryshime, në shumë sektor të shoqërisë ka nevojë për ndryshime. Ta zëmë, gjendja e rëndë në arsim edhe në shëndetësi nuk është vetëm pasojë e aparteidit të viteve 90, nuk është vetëm pasojë e luftës, nuk është vetëm pasojë e keqqeverisjeve të mëhershme, por të pafajshme nuk janë as disa kryesindikalistë. Pra, edhe ata të cilët nuk flasin për të drejtat e punëtorëve, për kushtet e punës, qysh në shumë shkolla tona për dy dekada nuk ka pasur as sapun, e në anën tjetër vetëm të vijnë në shprehje me kërkesa për rritje të pagave, natyrisht që duhet t’i bëhet kritikë edhe atyre”, kishte thënë Kurti në seancën e 13 dhjetorit të vitit të kaluar.

Ndërsa Rrahman Jasharaj po atë ditë për Demokracia.com i ishte kundërpërgjigjur Kurtit, duke thënë se prilli i 2022 do të vijë shpejt, dhe siç tha ai, anëtarësia do të dëshmojë se kush do të jetë në krye të SBASHK-ut edhe për kate vite.

Pra Jasharaj sot në kongresin e 8 të SBASHK-ut është zgjedhur edhe për katër vjet në krye të kësaj sindikate.

“Si duket z. Kurti nuk e paska lexuar asnjërin prej reagimit të anëtarësisë, por as letrën që ia ka dërguar Unioni i Sindikatave të Evropës së bashku me unionin e Sindikatave të Shërbimeve Publike dhe në atë letër ata i kanë thënë prerazi se është gabim që të përzihet në organizimin sindikal kudo qoftë dhe ata i kanë bërë edhe vërejtje, se këto nuk duhet të përsëritën ngase ata do t’i ngrisin pastaj në komisionet e BE-së. Pra Kurti ka punë të tjerë për të bërë dhe të mos merret me sindikata sepse prilli vjen dhe anëtarësia e SBASHK-ut do të dëshmojë se kush do t’i udhëheqë në katër vitet e ardhshme, e unë po them me plotë gojën dhe me plotë krenari që kam marrë pjesë kudo në komunat e Kosovës dhe kuvendet e nivelit të arsimit para universitar dhe universitetet, të gjithë e kanë thënë se fal angazhimit të punës Jasharaj do të jetë edhe për një mandat që të udhëheqë SBASHK-un. Dhe po them është vullnet i anëtarësisë se kush do t’i udhëheqë. As qeveristë e kaluara dhe as kjo qeveri nuk po bënë asgjë që kushtet në shkolla të përmirësohen dhe shkollat tona të jenë ato të shekullit 21, duke pasur llaptop dhe projektor për të punuar siç e kërkon kurikula”, kishte thënë Jasharaj asokohe.

Pas pakënaqësive të shprehura publikisht nga kryeministri Kurti kundër drejtuesve të sindikatave të administratës publike, ishte organizuar një punëtori për regjistrimin e sindikatave për mbrojtjen e punëtorëve në sektorin publik e privat, në të cilën kanë marrë pjesë edhe bashkëpartiakë të Albin Kurtit. Ky organizim vinte pikërisht në kohën kur kryeministri u kishte shpallur “luftë” drejtuesve të këtyre sindikatave.

Në një prej hoteleve në Prishtinë, në dhjetor të viti 2021 është mbajtur një punëtori në të cilën është diskutuar për “sindikatat dhe organizimin e tyre, raporton Demokracia.com.

Kurti për sa kohë ishte në opozitë ishte njëri nga mbështetësit më të mëdhenj të sindikalistëve, protestave e kërkesave të tyre.

Nuk ishin të rralla rastet kur ai dhe ministrat e tij i prinin karvanit të protestuesve, madje organizonin tryeza e takime me ta.

Por, ardhja në pushtet ka ndërruar qasjen e Kurtit kundrejt sindikatave. Sipas tij, udhëheqësit e këtyre sindikatave duhet të ndërrohen.

E këtë dëshirë të tij, Kurti e arsyetoi me ndryshimet e fundit që janë bërë në politikë, duke iu referuar fitores së zgjedhjeve të 14 shkurtit që sipas tij “qytetarët e Kosovës nuk mjaftohen që për shumë vite të vazhdojnë t’i përfaqësojnë të njëjtit njerëz”./Demokracia.com/

Të ngjashme