Lajme
Albin Kurti kërkon drejtësi për Astrit Deharin
Demokracia
11:37 | 25 Shkurt 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë ka folur edhe për Astrit Deharin.

Kurti gjatë fjalimit ka përmendur se Adem Demaçi dhe Astrit Dehari, ndajnë të njëjtën ditë të lindjes më 26 shkurt.

Sipas tij, të dy janë busulla të LVV-së, dhe siç u shpreh ai “për sa kohë që të jetoj kujtimi i tyre në zemrat tona, për aq kohë do të jehojë edhe Lëvizja”.

“Sot është data 25 shkurt, e nesër është 26 shkurt. Është ditëlindja e dy personave të veçantë për të gjithë ne. janë dy persona me shumë vite dallim për të gjithë ne, me histori jetësore, me kontribute shumë të ndryshëm, por që koincidojnë ta kenë dhe ditëlindjen në të njëjtën ditë, por edhe inicialet e njëjta, A.D. E kam fjalën për tribunin dhe viganin e rezistencës shqiptare në burgjet jugosllave e serbe, Adem Demaçin dhe për shokun e aktivistin tonë të dashur, Astrit Deharin, viktimë e padrejtësisë kriminale në burgjet e Kosovës së pavarur”, ka thënë Kurti.

Po ashtu Kurti kërkoi drejtësi për rastin Dehari.

“Nuk e humbim rrugën, për sa kohë që rruga jonë ndriçohet nga pishtarë si ata. Lavdi dhe nderim për udhërrëfyesin kombëtar, Adem Demaçin, kujtim dhe drejtësi, me çdo kusht e deri në fund për shokun tonë, Astrit Deharin”, ka thënë Kurti.

Të ngjashme