Albin Kurti kërkoi nga shqiptarët që ta votonin Zjermin e Shkodrës Elektronike në Këngën e Evrovizionit në Bazel të Zvicrës, por harroi se dy ditë më herë në Shqipëri ishin mbajtur zgjedhjet e rregullta parlamentare dhe fitues i mandatit të katërt radhazi doli kryeministri Edi Rama.
Shqipëria më njëmbëdhjetë maj mbajti zgjedhjet parlamentare në të cilat Partia Socialiste e Edi Ramës fitoi bindshëm edhe një mandat përballë demokratëve të udhëhequr nga Sali Berisha.
Ndërsa urime erdhën nga të gjithë liderët botërorë, përfshirë edhe presidenten Vjosa Osmani, një përgëzim ende nuk ka ardhur nga kryeministri në detyrë. E ky i fundit më trembëdhjetë maj përmes Facebook-ut, u bëri thirrje shqiptarëve që të votojnë përfaqësuesen e Shqipërisë në garën për këngën më të mirë evropiane.
Por, sot kur janë mbushur një javë pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe ndërkohë dihet fituesi, Albin Kurti ende nuk ka uruar Edi Ramën ndonëse një gjë të tillë e kishte bërë katër vjet më parë, për zgjedhjet e njëzetepesë prillit.
Kujtojmë, Kurti kishte votuar në zgjedhjet e njëzetepesë prillit dymijenjëzetenjë në Shqipëri. Lëvizja Vetëvendosje asokohe kishte garuar me tre kandidatë për deputetë, të cilët, megjithatë, garuan si të pavarur.
“Sipas rezultateve paraprake të shpallura nga KQZ në Republikën e Shqipërisë, Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama ka fituar zgjedhjet parlamentare. Kosova nuk mundet pa Shqipërinë e Shqipëria nuk mundet pa Kosovën, prandaj e përgëzoj kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën për rezultatet, dhe uroj që së bashku, si shqiptarë, të shtojmë bashkëveprimin mes nesh në të gjithë sektorët, si dhe t’i afrojmë standardet evropiane sa i përket demokracisë, zhvillimit ekonomik, drejtësisë e mirëqenies. Njëkohësisht uroj që institucionet në Shqipëri të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor që askujt të mos i preket e drejta e votës, mbi të cilën themelohet demokracia përfaqësuese”, kishte shkruar Kurti asokohe në Facebook, transmeton KosovaPress.