Lajme
Albin Kurti e pa lojën e Kosovës nga pjesa VIP e stadiumit “atje ku mund ta vjedhin kuletën”
Demokracia
10:19 | 10 Qershor 2022

Share:

Është bërë rutinë që nëse e shihni Albin Kurtin duke bërë diçka si kryeministër, mjafton të kërkoni për të kundërtën e saj sa ishte në opozitë dhe do të gjeni mjaftueshëm video, deklarata, konferenca e deri edhe protesta.

Kryeministri Albin Kurti është në luftë të madhe me ish-opozitarin Albin Kurti. Arkiva e tij po e sfidon seriozisht integritetin e tij si kryeministër. Ajo, dalëngadalë po bëhet rrënuese e figurës së tij dhe po e shndërron atë në një figurë komike, shkruan Demokracia.com.

Një arkiv, atë që e kishte në faqen e Vetëvendosjes, e ka zhdukur me një delete, por arkivat e mediave dhe mbamendjen e qytetarëve është e pamundur ta fshijë.

Janë qytetarët aktivë në rrjete sociale që kanë filluar ta shpërndajnë një video-deklaratë të Kurtit, të dhënë në vitin 2019, sa ishte opozitar dhe kur posti i kryeministrit i dukej diçka shumë e largët dhe vështirë e besueshme.

“Eeee, mbramë ishte një tifoz, adhurues i Vetëvendosjes në tribina në lindje, edhe më tha pse nuk shkove në tribina në perëndim atje ku janë VIP-at? I thashë, kam dëgjuar se atje mund të ta vjedhin kuletën”, thoshte Kurti në tetorin e vitit 2019.

Kjo ishte hera e parë që Kurti kishte shkuar në stadium për ta shikuar përfaqësuesen e Kosovës, e cila po ballafaqohej me Malin e Zi. Kurti, filloi t’i përcillte edhe ndeshjet e tjera të Kosovës. Së fundmi, ai u pa në stadiumin “Fadil Vokrri”, më 9 qershor 2022, kur Kosova shënoi fitoren në përballje me Irlandën e Veriut (3:2). Por, tani si kryeministër, Kurti nuk u pa në tribunat e lindjes, me qytetarët e zakonshëm, nga ku i shikonte lojërat e Kosovës si opozitar. Kryeministri Albin Kurti e pa lojën e Kosovës nga tribunat në perëndim, pra nga pjesa VIP e stadiumit, për të cilën dikur thoshte se është zonë “ku mund ta vjedhin kuletën”.

Megjithëkëtë, para se Kurti të fillonte t’i shikonte ndeshjet e Kosovës në futboll, ai kishte një qasje deri në kundërshtim të idesë se Kosova mund të luajë me kombet/shtetet tjera.

Kur Kosova u pranua në UEFA (maj 2016), Vetëvendosje kishte reaguar vetëm me pak rreshta për të përshëndetur këtë fitore, duke iu shmangur tërësisht idesë se Kosova do të luajë futboll me kombëtaret e ndryshme të botës. Kryetari i atëhershëm i LVV-së, Visar Ymeri, kishte shkruar se “Ekipet dhe futbollistët e Kosovës duhet ta shfrytëzojnë anëtarësimin në UEFA për ta ngritur më tutje cilësinë e futbollit në Kosovë”.

Edhe disa muaj më vonë, kur Kosova u pranua në FIFA (tetor 2016), Vetëvendosje reagoi me shumë rezerva. “Pranimi i Kosovës në FIFA është shans për ekipet tona, që shteti duhet ta shfrytëzojë për ta avancuar sportin tonë”. Pra, si në rastin e pranimit në UEFA, partia e Kurtit e vendoste theksin dikur tjetër, te klubet e futbollit, duke shmangur tërësisht përmendjen e përfaqësueses së shtetit të Kosovës që do të mund të zhvillonte gara ndërkombëtare. Për më tepër, kjo gjë po e pengonte partinë e Kurtit. Në të njëjtën kohë ne besojmë në një kombëtare, dhe gjithmonë do ta mbështesim atë pa rezervë. Shqiptarët kanë nevojë t’i unifikojnë ligat e futbollit në mënyrë që edhe cilësia e sportit tonë të rritet dhe krahas integrimit nëpër organizatat ndërkombëtare, ta rrisim integrimin kombëtar”, thuhej në reagimin e LVV-së.

Duket qartë se Albin Kurti nuk mund ta shihte përfaqësuesen e Kosovës duke luajtur futboll. Ai fliste vetëm për kombëtaren shqiptare.

Por, tash që Kurti është kryeministër, edhe kjo ka ndryshuar. Ai nuk po flet më për idenë e një kombëtareje shqiptare në futboll, në mënyrë që “ta rrisim integrimin kombëtar”. Vetëm dy ditë para ballafaqimit të Kosovës me Irlandën e Veriut dhe para se të ulej e të festonte fitoren e përfaqësueses së Kosovës në futboll nga Zona VIP “ku mund ta vjedhin kuletën”, kryeministri Albin Kurti ishte në vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar dhe u tregoi britanikëve se Kosova nuk mund të bashkohet me Shqipërinë. Studentët e rinj të Universitetit të Kembrixhit me shumë gjasë nuk e njohin arkivin e Kurtit ku mund ta gjenin premtimin e tij, tashmë të braktisur, për bashkim kombëtar. /Demokracia.com/

 

 

 

Të ngjashme