Lajme
Albin Kurti e godet Klan Kosovën, ia pezullon licencën televizionit që është kritik ndaj tij
Demokracia
19:37 | 14 Qershor 2023

Share:

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që udhëhiqet nga ministrja Rozeta Hajdari, përmes një komunikatë për medie, ka njoftuar se i është pezulluar licenca “Klan Kosovës”. E gjitha ka nisur pas një kallëzimi penal që MINT ka bërë në Departamentin e Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës. Çka ndodhi?

Në njoftimin e Ministrisë, kuptohet se MINT ka ushtruar një kallëzim penal për shkak të dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare të zyrtarëve përgjegjës në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.” – thuhet që në hyrje të komunikatës së Ministrisë.

Duke u thirrur në aktet ligjore, MINT ka treguar se e ka pezulluar certifikatën e biznesit të shoqërisë tregtare “Klan Kosova” SHPK, deri në një vendim tjetër.

“Mbështetur në aktet ligjore, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës, gjithashtu ka marrë vendim që të pezulloj certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, deri në një vendim tjetër. Për vendimin e ARBK-së, është ftuar në takim dhe është njoftuar pala, përkatësisht pronari i Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK.” – thuhet tutje në komunikatë.

Ministria është thirur edhe në një raportim të një medie të afër me pushtetin, e cila dje raportoi në lidhje me pronësinë e televizioni Klan Kosova.

“Raportimet e mediave gjatë këtyre ditëve rreth kësaj çështjeje, kanë nxjerrë në pah dyshime të bazuara për keqpërdorim të mundshëm të pozitës zyrtare të punonjësve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Si rrjedhojë, MINT ka bërë të gjitha angazhimet e nevojshme dhe menjëherë ka ndërmarr masat e qartësimit të brendshëm të gjendjes. Sipas të dhënave të shpërfaqura nga i gjithë procesi i regjistrimit e më pas transaksioneve tjera të shitblerjes së Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, rezultojnë dyshime serioze të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga zyrtarë të ARBK-së, por edhe dyshime për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike nga persona përgjegjës të kompanisë.” – thuhet aty tutje.

Kujtojmë që televizioni Klan Kosova është një nga televizionet më të mëdha të Kosovës dhe në publik njihet se është pronë e Shkëlqim Devollit, biznesmen nga Peja. Ndryshe, para disa ditëve, Adriatik Kelmendi ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit gjeneral të Klan Kosovës.

 

Të ngjashme