Lajme
Albin Kurti bën historinë për të keq, vetën dhe Republikën e Kosovës e fut në sanksione të Bashkimit Evropian
Demokracia
15:13 | 03 Korrik 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është udhëheqësi i parë i vendit që e ka futur Kosovën nën sanksione nga Bashkimi Evropian.

Kurti kështu e realizoi ëndrrën e tij për të lënë një gjurmë në historinë e Kosovës, por fatkeqësisht për të keq, shkruan Demokracia.com.

Historia do të rrëfejë në të ardhmen se nën udhëheqjen e Albin Kurtit, shteti në 14 vjetorin e ekzistimit të tij u sanksionua bash nga ata që ndihmuan fort në krijimin, ndërtimin dhe njohjen ndërkombëtare të tij.

Pasojat e veprimeve të tij, kryeneçësia, mungesa e koordinimit, i sollën pasoja Kosovës.

Për herë të parë, Kosova u ndëshkua politikisht dhe ekonomikisht për kursin e saj – fillimisht të instalimit me forcë të tre kryetarëve shqiptarë me vota të pakta pa përfillur e dëgjuar asnjë kërkesë të aleatëve, partnerëve dhe operatorëve të sigurisë në veri, më pastaj për refuzimin e ngurtë për shtensionim të situatës sipas kërkesës mbarëperëndimore – në veri të Kosovës.

Bashkimi Evropian më 28 qershor njoftoi Qeverinë e Kosovës për masat ndëshkuese që do të rëndojnë mbi vendin po qe se përfundimisht vendoset të mos zbatohet planin tre-pikësh të hartuar për shtensionim.

Lëre që nuk dëgjoi, por Kurti, bëri edhe hapa të mëtutjeshëm që në potencial dhe në atmosferën e krijuar, veçse i shtonin edhe brum më të madh tensionimit aktual.

Kurti do të ishte indiferent ndaj të gjithë botës.

Andaj BE tashmë do ta nxirrte kartën e saj të ndëshkimit hiç indiferente. Fondet e saj, të pezulluara; marrëveshja e vetme kontraktuale midis Kosovës dhe BE – Marrëveshja për Stabilizim-Asocim, u pezullua; takime e vizita të larta biletarale (përveç atyre që kanë të bëjnë me dialog dhe shtensionim), të gjitha të pezulluara; fondet e IPA-s, të pezulluara. Kosova, do të lihej në vetminë e saj.

Por, Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, jo që s’do t’ia linin shenjë, por, përkundrazi, do të vendoste në pikëpyetje vetë vlerat e Bashkimit Evropian, duke e proklamuar kursin e tij, si në esencë ndjekje e vetë vlerave “më të mira” të BE-së. Kjo, si një ‘Jo’ e rivitalizuar ndaj kërkesave të tyre të ndjekura edhe me shkopin sanksionues.

“Janë për të ardhur keq”, tha Kurti gjatë një mbledhje qeveritare duke folur për masat ndëshkuese të BE-së. Kjo, ngase sipas tij, “po vinë si reagim ndaj mbrojtjes së palëkundur që ne po i bëjmë vlerave të vetë BE-së”.

Ndonëse, për Kurtin supozohet të jetë e qartë se për asnjë shtet të BE-së nuk është vlerë instalimi me forcë i një kryetari me 100 vota dhe me mbrojtje të rreptë policore të ambientit komunal, acarimi i “demos”-it të asaj zone të cilët nuk ndjehen të përfaqësuar, për të është “demokraci dhe sundim i ligjit”. Kjo, përkthyeshëm, edhe si vlerësim ndaj asaj që i mbarë Komuniteti Trans-Atlantik po i kërkon të bëjë gjoja të kundërtën.

Por, Kurti, duke e shpërfillur seriozitetin e situatës, s’e ndjen nevojën për të ndërruar kurs. Madje, thotë se “si-do-që-të-jetë” Kosova mbetet “besnike e asaj që BE përfaqëson në më të mirën e saj”.
Kur u konfirmua se aplikimi i këtyre masave tashmë ka marrë hovin e saj të përnjëmend, Kurti do ta kishte një përgjigje: S’bëjmë kompromis me sundimin e ligjit.

Edhe sot duke mos ndjerë fare keqardhje që populli i Kosovës po pëson, Kurti i ka quajtur të përkohshme masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Kreu i Qeverisë, u shpreh se këto masa janë të padrejta.

Kurti ka thënë se disa masa edhe kanë filluar të zbatohet, duke përmendur anulimin e vizitave.

Me këtë rast, ai ka sqaruar se janë identifikuar 45 persona që bëjnë pjesë në dy organizatat e shpallura terroriste nga Qeveria jav;n e kaluar, “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.

“Janë paralajmëruar masa të cilat disa edhe jane zbatuar, disa prej tyre. Bëhet fjalë edhe për anulim të vizitave, masat janë të padrejta për bindjen time ajo çfarë ne duhet të bëjmë është ajo që ti kalojmë ato kredi e grande në vlere prej 149 milionë euro kredi dhe grande që nuk kalojnë pa 2/3 në Kuvend. Ne kemi ngujim aktual, që mund ta kalojmë bashkë”.

“Deri më sot janë identifikuar 45 persona, identifikim i saktë që kanë marrë pjesë në sulme dhune ndaj ushtarëve të KFOR-t, policisë e gazetarëve, por edhe që kanë përdorur armë. Ju e patë çfarë armatimi u konfiskua me 23 qershor. Qytetarë serbe janë më të frikësuarit prej këtyre kriminelëve, që na dërgojnë informacion çdo herë kur vepron ligji. Kemi pa numër fakte e dëshmi se bëhet fjalë për organizata terroriste, nëse nuk do t’i shpallnim, do të bënim shkelje dhe dëm”.

“Me BE jam në kontakt të përditshëm, dje kam biseduar me Borrellin edhe me ndërmjetësin Lajçak, jam interesuar edhe për deskalim, edhe për normalizim, që nënkupton sundim të ligjit ose edhe të shkojnë në Serbi”./Demokracia.com/

Të ngjashme