Agjenda e zbehtë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, gjatë tri ditëve të para të qëndrimit të tij në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk është vërejtur vetëm në nivelin e takimeve që ka zhvilluar, por edhe në vendet se ku janë zhvilluar ato.
Gjatë tri ditëve të para, me 25, 26 dhe 27 shtator, kryeministri Kurti ka zhvilluar 15 takime të ndryshme, por që më shumë se gjysmën prej tyre i ka zhvilluar në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York, e cila ndodhet qindra metra larg selisë së OKB-së.
Deri më tani, kryeministri Kurti nuk është ftuar në asnjë takim të rëndësishëm në selinë e OKB-së, aty ku kanë zyret e tyre shumica e shteteve anëtare.
Udhëtimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është bërë me qëllim të pjesëmarrjes në Javën e Nivelit të Lartë të Sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Me 25, 26 dhe 27 shtator, Kurti ka takuar kryeministrat e Kroacisë, Grenadës, Vanuatus, Samoas, Greqisë, Andorrës, Islandës, Lihtenshtajnit, ministrat e jashtëm të Singaporit dhe Luksemburgut, princin e Kuvajtit, një drejtore në Fondin Monetar Ndërkombëtar, një administrator në UNDP dhe sekretarin e selisë së shenjtë të Vatikanit.
Shumë nga këto takime janë mbajtur në Konsullatën e Kosovës në New York.
Sanksionet e Bashkimit Evropian të qershorit të vitit 2023, kanë arritur edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Izolimi i liderëve kosovarë, veçanërisht i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nga ngjarje të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe përveç atyre të fokusuara në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, është vërejtur edhe gjatë ditëve të para të vizitës së tij. /Demokracia.com/