Lajme
Alarmi për përhapjen e fruthit shtyn prindërit të dërgojnë fëmijët për vaksinim
Demokracia
10:01 | 31 Maj 2025

Share:

Alarmi për përhapjen e fruthit në Kosovë ka bërë që shumë prindër të marrin masa të menjëhershme për mbrojtjen e fëmijëve të tyre, duke i vaksinuar me MMR – vaksinë kundër fruthit, shytave dhe rubeolës.

Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), deri tani janë regjistruar 23 raste me fruth. Shumica e të prekurve janë fëmijë të pavaksinuar, të moshës nga 1 deri në 2 vjeç.

Faik Hoti nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik tha se tashmë këto raste shumica janë shëruar e disa janë në trajtim.

Ai shtoi se rastet e fëmijëve me fruth janë të identifikuara në Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Lipjan, Fushë-Kosovë e Prishtinë.

“Aktualisht sipas regjistrimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, në vendin tonë janë 23 raste të konfirmuara të fruthit, bëhet fjalë në shumicën e rasteve për fëmijë të cilët nuk janë të vaksinuar, respektivisht nuk e kanë kompletuar marrjen e vaksinës kundër fruthit, rubellës. Këta fëmijë vijnë kryesisht nga kopshtet parashkollore, janë shumica prej tyre prej moshës 1 deri 2 vjeç dhe disa raste të tjera janë raste të raste të kontakteve që janë ndërlidhje drejtpërdrejtë epidemiologjike me rastet e kopshteve… Këto janë raste të cilat janë regjistruar, shumica prej tyre e kanë kaluar, disa janë në shërim e sipër”, thotë Hoti.

Por, sipas Hotit të IKSHPK-së, ngritja e alarmit për këto raste ka vetëdijesuar prindërit dhe tashmë interesimi për vaksinimin e fëmijëve kundër fruthit, është rritur.

“Alarmimi i situatës, bërja publike e informacioneve për rastet e regjistruara të fruthit kanë pasur një efekt pozitiv tek prindërit sepse është rritur shumë interesimi për vaksinimin e fëmijëve dhe ne si IKSHP iu bëjmë thirrje të gjithë prindërve që nuk i kanë vaksinuar fëmijët për çfarëdo arsye, ta bëjnë këtë menjëherë sepse vaksina është mënyra më e mirë dhe më parandaluese kundër fruthit”, theksoi ai.

Të ngjashme