Situatë alarmante tek Atletiko Madrid, para ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Interit që do të zhvillohet më 20 shkurt. Gjatë duelit në La Liga kundër Seviljas, Alvaro Morata u detyrua të largohej nga fusha për shkak të një problemi në gjurin e djathtë, pas një përplasjeje të ashpër kundër Soumare-s.
Ish-sulmuesi i Juventusit dhe Realit, u ul në stol teksa shpërtheu në lot, duke lënë të kuptohet që dëmtimi i tij do të jetë serioz.
Gjendja e tij do të duhet të rivlerësohet qartë në orët e ardhshme, por shprehja e tij dhe shqetësimi në fytyrat e shokëve të skuadrës dhe anëtarëve të stafit mjekësor të “Colchoneros” tregojnë se Moratës mund t’i duhet të qëndrojë për një kohë të gjatë jashtë fushave të blerta.