Lajme
Alarm i rremë për bombë në Aeroportin “Adem Jashari”, rinisin fluturimet
Demokracia
19:21 | 16 Qershor 2022

Share:

Një kërcënim i rremë për bombë në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” ka vënë në lëvizje policinë e Kosovës.

Policia ka njoftuar se menjëherë ka dalë në vendngjarje, duke ndërmarrë masat e nevojshme për ta siguruar lokacionin, derisa ka evakuuar edhe personat që ndodheshin në aeroport.

Në komunikatën e policisë thuhet se puna në aeroport i është kthyer normalitetit dhe qytetarët e udhëtarë kanë vazhduar udhëtimet e tyre.

“Policia e Kosovës, pas verifikimit dhe ushtrimit të kontrollit në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, ku ishte raportuar për vendosjen e mjeteve shpërthyese, ka vërtetuar se këto informacione kanë rezultuar të jenë të rrejshme.Puna në aeroport i është kthyer normalitetit dhe qytetarët/udhëtarë kanë vazhduar udhëtimet e tyre. Policia e Kosovës, do të vazhdojë angazhimin e saj në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike”, thuhet në komunikatën e policisë.

Zëdhënësja e aeroportit të Prishtinës, Valentina Gara, bëri të ditur se “se janë ndërmarrë të gjitha veprimet operative dhe hetimore nga organet kompetente të Republikës së Kosovës dhe ka rezultuar se kërcënimi me bombë ka qenë alarm i rremë. Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’ është i hapur për fluturime dhe të gjitha fluturimet do të procesohen si zakonisht”.

Kjo nuk është hera e parë që ka pasur kërcënime për bombë në këtë aeroport, ndërkohë që të gjithë kanë rezultuar alarme të rremë.

Në disa shkolla në veri të Kosovës është ndërprerë disa herë procesi mësimor. Kjo për shkak të mesazheve anonime kërcënuese, sipas të cilave në këto shkolla ishin vendosur bomba.

Më herët më 24 maj, një tjetër kërcënim me bombë ka ndodhur në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, i cili rezultuar si alarm i rremë./Demokracia.com/

Të ngjashme