Xhiroja e fundit në Superligën e Kosovës në futboll ka nxjerrë punë edhe për Komisionin Disiplinor të FFK-së, shkruan Demokracia.com.
Kryetari i FC Ballkanit Arsim Kabashi dhe ai i Trepçës ’89, Abedin Zeka si dhe trajneri i Gjilanit Ismet Munishi kanë përfunduar në disiplinor për shkak të sjelljeve jo sportive në ndeshjet, Ballkani – Prishtina, Drenica – Trepça ’89 përkatësisht Prishtina – Gjilani.
Kabashi akuzohet për fyerje të gjyqtarëve pas përfundimit të ndeshjes, ndërsa Zeka e Munishi për shkak të deklaratave të pamatura në emisionet televizive duke akuzuar gjyqtarët se po e ndihmojnë Prishtinën.
Njoftimi i plotë i FFK-së
Komisioni disiplinor i shkallës së parë në përbërje; Metë Çeku – kryetar, Dukagjin Zefi, Avni Shala, Luan Salihu dhe Bekim Behrami – anëtarë, në mbledhjen e mbajtur me datë 06.04.2021 shqyrtoi procedurat e hapura nga Komisioni i Garave pas përfundimit të ndeshjeve të fundjavës të Superligës dhe ligave tjera, duke ju referuar raporteve, deklaratave plotësuese të zyrtarëve, si dhe video incizimeve televizive dhe konform Dispozitave të Rregullores disiplinore mori këto:
V E N D I M E:
Hapje e procedurës disiplinore:
Ndaj kryetarit të KF Trepça’89, Abedin Zeka, për shkak se në emisionin sportiv të TV Dukagjini (Dueli Sportiv) me 04.04.2021 akuzon rëndë organet e FFK-së pa fakte, që është në kundërshtim me Kodin e etikës sportive. Bazuar në nenin 32 paragrafi 1 të Rregullores disiplinore;
Kërkohet deklaratë nga kryetari i KF Trepça’89, Abedin Zeka
Deri më datë: 12.04.2021.
Ndaj kryetarit KF Ballkani, Arsim Kabashi me numër ID 009626M85. Pas përfundimit të ndeshjes ndërmjet KF Ballkani – FC Prishtina, e zhvilluar me datë: 04.04.2021, në ambientet zyrtare të stadiumit i ofendon dhe i kërcënon gjyqtarët e ndeshjes. Bazuar në nenin 32 paragrafi 1 të Rregullores disiplinore.
Kërkohet deklaratë nga kryetari i KF Ballkani, Arsim Kabashi
Deri më datë: 12.04.2021.
Ndaj kryetrajnerit të SC Gjilani, Ismet Munishi me numër të ID 009766M74, pasi në emisionin sportiv të ATV-së me 04.04.2021 deklaron se në ndeshjen FC Prishtina – SC Gjilani java e 26-të, FC Prishtina në favor të vetin kishte gjyqtarët si (lojtarin e 12-të) dhe ndikuan në rezultatin përfundimtar të ndeshjes si dhe prejudikon sipas teorive të tij se kush do të bëhet kampion duke thyer Kodin e etikës sportive. Bazuar në nenin 32 paragrafi 1 të Rregullores disiplinore.
Kërkohet deklaratë nga kryetrajneri i SC Gjilani, Ismet Munishi. /Demokracia.com