Akuzë pas akuze. Mediat gjermane kanë bombarduar drejtuesit e Bayernit për mënyrën se si po menaxhojnë situatën me Robert Lewandowskin.
Pas një merkatoje dimërore të thatë, drejtuesit tani duhet të mendojnë edhe për rinovimet. Mars-prill ka qenë gjithmonë një sezon ku lojtarët që janë planifikuar për të rinovuar kanë hedhur firmën mbi kontratë. Edhe në rastet ku klubi nuk ka dashur të rinovojë, ka dalë me një deklaratë për shtyp.
Mund të kujtojmë shumë mirë këtu largimet e Frank Riberisë dhe Arjen Roben, dy kampionë të padiskutueshëm të bavarezëve. Ndarja prej tyre nuk ishte e lehtë, por në fund u pranua nga tifozët. Tani, dy sezone më pas, drejtuesit ndodhen në të njëjtën situatë. Këtë herë me Manuel Nojerin, Tomas Mylerin dhe Robert Levandovskin. Frika për të humbur qoftë njërin prej tyre është e madhe, jo më të tre. Teksa kapiteni ka premtuar besnikërinë, Myler dhe Leva janë në ajër për sa i përket së ardhmes. Ai që është më i rrezikuar është polaku.
QETËSIA SHQETËSUESE
Por sipas “Sky Sport”, drejtuesit e skuadrës bavareze nuk kanë ndër mend të ndikohen nga mediat ose specialistët në rubrikat sportive. Ata do të punojnë në qetësi duke marrë një nga një hapat që duhen për të vendosur rreth të ardhmes së Manuel Nojerit, Tomas Mylerit dhe Robert Levandovskit.
Ardhja e Oliver Kahn në krye të klubit si CEO po jep rezultatet e veta. Ish-portieri i njohur është duke ndjekur një politikë ndryshe nga ajo e Karl Hainc Rumeniges. Për Kahn nuk ka lojtarë të paprekur në skuadër. Sigurisht që duhet parë edhe ana ekonomike, shpenzimet dhe gjëra të tjera në lidhje me klubin. Tani të gjithë duhet të mësohemi me një Bajern, i cili do të shesë yje për të sjellë të tjerë.
Kahn ka edhe vizione për të ardhmen, kjo u pa edhe në takimin e tij me një nga agjentët më të mirë në botë, Mino Raiola, për të cilin ka biseduar për lojtarët në ardhje. Dhe kur lexon se për cilët lojtarë bëhet fjalë atëherë mund edhe të kuptosh arsyen përse negociatat me tre veteranët kanë mbetur pezull. Për të nisur një cikël të ri duhet edhe të rrezikosh dhe të sakrifikosh lojtarë që kanë shkruar historinë me klubin gjerman. Na pëlqen apo jo, një epokë e re ka nisur te 31 herë kampionët e Gjermanisë dhe për ta, pa gjykuar, duhet më parë të presim. /Demokracia.com