Sport
Akuzat për treshën e ëndërrave në PSG, edhe Donnarumma bëhet çështje
Demokracia
17:08 | 17 Shtator 2021

Share:

Në Paris kanë nisur të shfaqen shqetësimet dhe pakënaqësitë e para pas barazimit zhgënjyes në Ligën e Kampioneve kundër Brugge.

Barazimi 1-1 dhe loja pa ngjyrë e PSG-së, që për një pjesë të madhe është dominuar nga belgët ka bërë që në adresë të “superskuadrës” franceze të vërshojnë kritikat.

Pavarësisht se në fushë ishte treshja e frikshme Neymar-Messi-Mbappe, kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për ekipin e Poçetinos që ta nisë me këmbën e mbarë aventurën në Champions.

Një gjysmëhap i gabuar, që së bashku me dëmtimin e Mbapesë dhe lënien në stol të Donarumës kanë bërë që ambienti parisien të rrethohet nga pakënaqësitë.

TRIO INEKZISTENTE

Sikur të mos kishte qenë Leo Messi, ndoshta nuk do të ishte bërë shumë zhurmë. Por, me Mesin në fushë barazimi ndaj Brugge është parë me një tjetër sy në Europë. Të gjitha gazetat më të mëdha në kontinent i kanë bërë jehonë paraqitjes “as mish e as peshk” të Parisit. Gazeta më e madhe franceze, “L’Equipe”, i ka vënë një titull të madh “Fantomatique” që mund të përkthehet si një miks midis diçkaje të padukshme dhe diçkaje irreale. Një titull që tregon vërtet atë çfarë ka dhuruar në fushë skuadra parisiene. Poçetinos nuk i ka mjaftuar as treshja e mrekullive për të dalë nga Belgjika me pikët e plota.

DONNARUMMA NË KËRKIM

Si të mos mjaftonte ndeshja aspak e mirë e PSG-së, për të rënduar edhe më shumë situatën ka ardhur edhe dëmtimi i pësuar nga Kylian Mbappe. E për më shumë akoma lënia në stol pafundësisht e kampionit të Evropës, Gigi Donnarumma. Kur roli i Donnarummas dukej i pazëvendësueshëm, nisja e sezonit ka qenë krejt tjetër gjë. Të gjithë pas ndeshjes e kanë “bombarduar” me pyetje Poçetinon në lidhje me portën. Dhe përgjigjja e tij ka krijuar edhe më shumë dyshime për atë çfarë po ndodh me numrin një të katërkëndëshit të PSG-së.

“Ndryshime në portë? Gjithçka është e mundur. Vendimet merren ndeshje pas ndeshjeje në bazë të rendimentit dhe paraqitjes. Këto paqartësi duhen sqaruar sa më shpejt, pasi PSG-ja nuk e ka luksin të vijojë në këtë situatë.

MBAPPE HUMB LYONIN

Pas rezultatit zhgënjyes problemi i dytë më i madh për PSG-në pas barazimit me Bryzhin ka qenë gjendja e sulmuesin Kilian Mbappe. Ylli i kombëtares franceze ka lënë fushën e lojës i dëmtuar pas një goditje të marrë në kavilje.

Të gjithë në Paris kanë kryqëzuar gishtat, pasi për momentin MbaPpe mbetet numri një i sulmit të PSG-së pavarësisht emrave të tjerë gjigantë në sulm si Mesi e Nejmar për të shkuar më pas te Icardi. Dëmtimi i Mbappesë nuk është shumë i rëndë, megjithatë prania e tij në fushë të dielën kundër Lionit në kampionat është në dyshim serioz. /Demokracia.com

Të ngjashme