Arte
Aktorja shqiptare me rol në filmin që fitoi çmimin kryesor në Festivalin e Filmit në Venecia
Demokracia
11:28 | 12 Shtator 2021

Share:

Mbrëmë (e shtunë) u kumtua lajmi se filmi i Audrey Diwan, “L’Evenement” apo “Happening” ka fituar çmimin kryesor njëherësh “Luanin e Artë” në Festivalin e Filmit në Venecia.

Në filmin e regjisores franceze për abortet ilegale në rolet kryesore të tij janë aktoret: Anamaria Vartolomei, Kacey Mottet Klein dhe Luana Bajrami.

“Kinemaja është një mjet për të transmetuar emocione. Ne nuk donim të dramatizonim situatat, ne po kërkonim një mishërim të së vërtetës”, tha regjisorja Diwan në fjalimin e saj.

“L’Evenement” ndërkaq është filmi i dytë francez që fiton një festival të madh që kur filmi i Julia Ducournau, “Titane”, fitoi Palmën e Artë në Kanë në korrik.

Regjisorja, 41-vjeçe, gjithashtu theksoi rëndësinë e përfaqësimit të ndryshimeve fizike të gruas së re dhe në të njëjtën kohë, të një qasjeje intime, të fokusuar në filmimin mbi të gjitha ‘lëvizjet e kokës dhe të syve’ të personazheve, shkruan Telegrafi.

Aktorja e regjisorja shqiptare, Luana, nga ana tjetër e çoi Kosovën ne Festivalin e Filmit në Kanë me filmin “Luaneshat e Kodrës”.

Kasta e aktorëve të “Happening” (Foto: Getty Images)

Ky njëkohësisht ishte filmi i parë i gjatë i bashkë prodhuar nga Kosova e Franca dhe i xhiruar në Kosovë që shfaqi premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë.

Në Festivalin e Filmit në Venecia, aktorja më e mirë u shpall Penelope Cruz me rolin në filmin “Parallel Mothers” si dhe aktori më i mirë John Arcilla me filmin “On the Job: The Missing 8”.

Të ngjashme