Lajme
Aktiviteti njerëzor po fuqizon një ‘revolucion të ri industrial’ në det, thonë ekspertët
Demokracia
21:32 | 03 Janar 2024

Share:

Studiuesit kanë krijuar hartën e parë globale të përdorimit industrial të oqeanit, duke përdorur teknologjinë hapësinore dhe inteligjencën artificiale për të zbuluar shfaqjen e një “revolucioni të ri industrial”.

Një studim i udhëhequr nga Global Fishing Watch (GFW) dhe i botuar në Nature zbuloi se 75% e anijeve të peshkimit industrial në botë, kryesisht që operojnë në Afrikë dhe Azinë Jugore, nuk gjurmohen publikisht.

Po ashtu më shumë se një e katërta e aktivitetit të anijeve të transportit dhe energjisë mungon në sistemet e gjurmimit publik, zbuloi ai.

Teksa peshkimi u ul globalisht me 12% gjatë periudhës së studimit 2017-2021 për shkak të pandemisë, hulumtimi tregoi se numri i strukturave në det të hapur u rrit me shpejtësi, me turbinat e erës që tejkalonin numrin e strukturave të naftës në vitin 2021.

Analiza e industrializimit të oqeanit zbulon pikat e nxehta të aktivitetit të mundshëm të paligjshëm, duke përfshirë anijet e peshkimit industrial që shkelin terrenet e peshkimit artizanal ose ujërat e vendeve të tjera.

Ai tregon anije peshkimi “të errëta” brenda zonave të mbrojtura detare, duke përfshirë, mesatarisht, më shumë se 20 në javë në dy nga rezervat më të monitoruara dhe biologjikisht më të rëndësishme në botë.

“Një revolucion i ri industrial është shfaqur në detet tona i pazbuluar – deri më tani”, tha David Kroodsma, bashkëautori i studimit.

“Në tokë, ne kemi harta të detajuara për pothuajse çdo rrugë dhe ndërtesë në planet. Në të kundërt, rritja në oqeanin tonë ka qenë kryesisht e fshehur nga opinioni publik. Ky studim hedh dritë mbi gjerësinë dhe intensitetin e aktivitetit njerëzor në det.”

Të dhënat e hapura, teknologjia dhe hartat e përdorura në studim do të jenë të disponueshme lirisht, tha Kroodsma, duke paralajmëruar një epokë të re në menaxhimin dhe transparencën e oqeanit.

Dhe kjo mund të ndihmojë me vlerësimet e emetimeve të gazeve serrë, ose me gjurmimin e degradimit detar të shkaktuar nga ndotja e naftës.

Studiuesit sakaq analizuan 2 milionë gigabajt imazhe satelitore midis viteve 2017 dhe 2021 për të zbuluar anijet dhe infrastrukturën në det të hapur në ujërat bregdetare në gjashtë kontinente, ku është përqendruar 75% e aktivitetit industrial.

Duke kombinuar të dhënat GPS me vite radari dhe imazhe optike, nga Agjencia Evropiane e Hapësirës dhe të tjerët, ata ishin në gjendje të identifikonin anijet që nuk arritën të transmetonin pozicionet e tyre dhe duke përdorur inteligjencën artificiale ata ishin në gjendje të vlerësonin se cilat kishte të ngjarë të angazhoheshin në peshkim.

Teksa jo të gjitha anijet janë të detyruara ligjërisht të transmetojnë pozicionin e tyre në det, ato që mungojnë në sistemet e monitorimit publik, të njohura si “flotat e errëta”, paraqesin sfida për mbrojtjen dhe menaxhimin e burimeve detare.

Vitet e fundit, rastet më të mëdha të peshkimit të paligjshëm dhe punës së detyruar ishin nga flota që kryesisht nuk përdornin pajisje të sistemit të identifikimit automatik (AIS).

Vetëm të dhënat nga AIS sugjerojnë se Evropa dhe Azia kanë aktivitet të krahasueshëm të peshkimit industrial.

Por harta e re globale, e cila zbulon anijet që nuk transmetojnë në AIS, tregon se Azia dominon – për çdo 10 anije peshkimi në ujë, shtatë ishin në Azi, ndërsa vetëm një në Evropë.

Të ngjashme